Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Grabitje si në filma në shtëpinë e kardinalit Ernest Simoni në Firence

Një grabitje e pazakontë ka ndodhur në zemër të Firences, në apartamentin ku jeton kardinali shqiptar Ernest Simoni. Hajdutët kanë çarë një mur me dalta për të hyrë në banesën e ndodhur në Piazza Duomo, një prej zonave më të njohura dhe të mbikëqyrura të qytetit, duke marrë para dhe sende me vlerë që llogariten në rreth 30 mijë euro.

Ngjarja ka ndodhur ndërsa kardinali shqiptar nuk ndodhej në Firence. Ernest Simoni ishte në Britani, ku kishte zhvilluar një takim me Mbretin Charles. Në banesë nuk ndodheshin as nipi i tij, Tonin Simoni, dhe bashkëshortja e tij, të cilët jetojnë me kardinalin.

Çifti ishte larguar nga shtëpia rreth orës 13:00 dhe, kur u kthye rreth orës 23:00, gjeti apartamentin të përmbysur. Hajdutët kishin përdorur dy dalta për të çarë murin, mjete të cilat më pas i kishin lënë në hapësirën e përbashkët të pallatit. Pasi kishin krijuar hyrjen, ata kishin arritur të hapnin edhe derën e blinduar dhe kishin kontrolluar dollapët, kutitë dhe valixhet në kërkim të sendeve me vlerë.

Nga banesa janë marrë para cash, sende ari, bizhuteri, medalje dhe një vulë ari. Mes sendeve të vjedhura është edhe leja e qëndrimit e kardinalit Ernest Simoni, një detaj që ka ngritur pikëpyetje te familjarët.

Nipi i kardinalit dyshon se grabitja mund të ketë qenë e planifikuar dhe se autorët mund të kenë vëzhguar më parë lëvizjet e familjes.

“Sigurisht që nuk kanë vepruar rastësisht. Na kanë mbajtur nën vëzhgim dhe e dinin që nuk ishim në shtëpi”, ka deklaruar Tonin Simoni.

Familjarët janë habitur edhe nga fakti se hajdutët kanë mundur të çajnë murin dhe të kontrollojnë banesën pa u diktuar nga askush, megjithëse apartamenti ndodhet në Piazza Duomo. Sipas nipit të kardinalit, as monsinjori që jeton në katin poshtë nuk kishte dëgjuar apo vënë re diçka.

“Jemi të tronditur nga ajo që ndodhi. Ndiheshim të sigurt. Mund të prisnim gjithçka, përveçse hajdutët të arrinin të bënin një gjë të tillë në Piazza Duomo”, është shprehur Tonin Simoni.

Pas denoncimit, në vendngjarje kanë mbërritur karabinierët dhe ekspertët e hetimeve shkencore. Hetuesit po kërkojnë gjurmë që mund të çojnë në identifikimin e autorëve, ndërsa po analizohen edhe pamjet e kamerave të shumta të sigurisë që ndodhen në zonë.

Por reagimi i kardinalit 97-vjeçar pasi mësoi për grabitjen ka qenë i veçantë. I njoftuar ndërsa ndodhej jashtë Italisë, Ernest Simoni nuk pyeti fillimisht për paratë, arin apo sendet e tjera të vjedhura. Shqetësimi i tij i parë ishin statujat fetare që mban në dhomën e tij.

Sipas nipit, kardinali pyeti nëse hajdutët kishin lënë të paprekura statujën e Zonjës së Medjugorjes dhe atë të Padre Pios. Kur mësoi se statujat ishin ende në vendin e tyre dhe nuk ishin dëmtuar, reagimi i tij ishte i thjeshtë: “Atëherë, nuk ka problem.”

Ernest Simoni është një prej figurave më të njohura të Kishës Katolike shqiptare dhe një i mbijetuar i persekutimit të regjimit komunist në Shqipëri. Ai u emërua kardinal nga Papa Françesku në vitin 2016.

Hetimet për grabitjen vijojnë, ndërsa autoritetet italiane po analizojnë gjurmët e gjetura në apartament dhe kamerat e sigurisë për të rindërtuar lëvizjet e autorëve./K.C/dritare.net