Na ndiqni edhe në

Bota

Macron ngre alarmin: Sulmet hibride ruse ndaj Evropës po intensifikohen

Presidenti francez Emmanuel Macron ka ngritur alarmin për një intensifikim të kërcënimeve hibride ruse ndaj Evropës, duke deklaruar se edhe Franca është vënë në shënjestër gjatë javëve të fundit. Përballë situatës, Macron ka urdhëruar hartimin e një plani për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, industrisë së mbrojtjes dhe objekteve teknologjike më të ndjeshme të vendit.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Pallatin Élysée, pas takimit me drejtuesit e partive politike për situatën e sigurisë, Macron tha se veprimet e fundit që Franca ia atribuon Rusisë nuk do të mbeten “pa përgjigje”.

“Në javët e fundit, kërcënimi hibrid rus kundër evropianëve dhe kundër Francës është intensifikuar”, deklaroi Macron.

Sipas presidentit francez, synimi i këtyre veprimeve është të frikësojnë vendet europiane dhe të dobësojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën. Por Macron këmbënguli se efekti do të jetë i kundërt.

“Synimi është të na frikësojnë dhe të thyejnë përpjekjet tona për të mbështetur Ukrainën. Rezultati do të jetë pikërisht i kundërt. Ne nuk frikësohemi, sepse e dimë se siguria jonë sot dhe nesër është në lojë në Ukrainë”, tha ai.

Macron iu referua gjithashtu sulmit me dron në aeroportin e Leipzigut në Gjermani muajin e kaluar, për të cilin Rusia është fajësuar, si dhe paralajmërimeve të kryeministrit polak Donald Tusk. Ky i fundit ka deklaruar se ekziston një “rrezik real” për sulme me dronë dhe raketa në territorin e vendeve të NATO-s që mbështesin Ukrainën, të cilat Moska më pas mund t’i paraqesë si “aksidentale”, me synimin, sipas Tusk, për të krijuar përçarje brenda Aleancës.

Alarmi është shtuar edhe pas goditjes së një treni pasagjerësh nga një dron rus pranë kufirit Ukrainë-Poloni. Sipas autoriteteve ukrainase, pasagjerët ishin evakuuar vetëm pak minuta përpara goditjes, e cila preku lokomotivën e trenit.

Përballë këtyre zhvillimeve, Macron tha se qeveria franceze është ngarkuar të forcojë mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të objekteve më të ndjeshme të industrisë së mbrojtjes dhe teknologjisë, veçanërisht kundër sulmeve me dronë dhe atyre kibernetike.

Rusia, nga ana tjetër, mohon se ka plane për të sulmuar Evropën. Presidenti Vladimir Putin ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Moska nuk synon një sulm ndaj vendeve europiane. Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka paralajmëruar megjithatë se dërgimi i trupave europiane në Ukrainë do të konsiderohej nga Moska si një deklaratë lufte.

Macron e zgjeroi alarmin edhe te siguria energjetike. Ai njoftoi se Franca do të kërkojë një takim të G7 kushtuar energjisë dhe do të ngrejë me Komisionin Evropian çështjen e rezervave të gazit. Sipas presidentit francez, në tryezë mund të vendoset edhe mundësia e përdorimit të rezervave strategjike.

Lufta hibride kombinon mjete ushtarake me metoda jo të drejtpërdrejta, si sulmet kibernetike, dezinformimi, sabotazhi dhe presioni ekonomik. Paralajmërimi i Macron vjen në një moment kur disa udhëheqës europianë po shprehin shqetësim për rritjen e kërcënimeve ndaj vendeve që vazhdojnë të mbështesin Ukrainën./dritare.net