Na ndiqni edhe në

Bota

Po i shkatërrojnë çdo ditë/ Vëllai i Lady Diana: Harry dhe Meghan po përjetojnë atë që kaloi motra ime

Vëllai i Princeshës Diana, Earl Spencer, ka bërë një krahasim të fortë mes mënyrës se si media trajtoi motrën e tij dhe presionit që, sipas tij, po ushtrohet sot ndaj Princit Harry dhe Meghan Markle. Në një intervistë për BBC, Spencer tha se në mbulimin mediatik të çiftit sheh “jehonë” të asaj që përjetoi Diana, duke e përshkruar ndikimin e një ekspozimi të tillë të vazhdueshëm si “kancerogjen” për jetën e një personi.

“Nëse shikon një artikull në një tabloid për Dianën apo për çiftin që përmendët, Harry dhe Meghan, ato mund të jenë vërtet, vërtet të pakëndshme”, tha ai.

“Unë nuk jam këtu për të folur në emër të Harry-t dhe Meghan-it, por për këdo që shkatërrohet në këtë mënyrë çdo ditë, ky duhet të jetë një ndikim kancerogjen në jetën e tij”, shtoi Spencer.

Vëllai i Dianës kujtoi edhe vuajtjet e motrës së tij përballë kritikave të vazhdueshme. Ai tha se kishte parë “lotët e dëshpërimit” të Dianës dhe se ajo ishte jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj kritikave. Sipas tij, Princesha u rëndua shumë emocionalisht nga presioni dhe sulmet e vazhdueshme mediatike.

Spencer tha se është për të ardhur keq që sot sheh elemente të ngjashme në mënyrën se si trajtohen nipi i tij, Princi Harry, dhe bashkëshortja e tij, Meghan.

Ai hodhi poshtë gjithashtu idenë se është rreshtuar vetëm në krah të Harry-t në përplasjet brenda familjes mbretërore.

“Unë jam në anën e djemve të motrës sime të ndjerë, të të dyve. Nëse ndonjëri prej tyre do të kishte nevojë për diçka, do të isha aty për të”, deklaroi ai.

Deklaratat vijnë në një moment kur Earl Spencer është rikthyer në qendër të vëmendjes për shkak të librit të tij të ri, Swan Song: Diana, My Sister. Ai pretendon se, vetëm pak ditë pas vdekjes së Dianës në vitin 1997, Mbreti Charles, atëherë Princi i Uellsit, i kishte thënë gjatë një telefonate se njerëzit “do ta harronin shumë shpejt” Dianën.

Pallati Mbretëror ka kundërshtuar versionin e Spencer, duke deklaruar se dhimbja nga humbja e një motre mund të ndikojë në gjykim dhe në mënyrën se si kujtohen ngjarjet edhe shumë vite më vonë.

Por Spencer këmbëngul se e mban mend saktësisht bisedën. “Po them të vërtetën”, deklaroi ai, duke shtuar se ua kishte treguar familjarëve dhe miqve që në atë kohë atë që pretendon se Charles i kishte thënë.

Harry dhe Meghan kanë kritikuar prej vitesh mënyrën se si janë trajtuar nga një pjesë e shtypit britanik. Harry e ka përshkruar më parë raportin me tabloidët si një mjedis “toksik” të krijuar nga “kontrolli dhe frika”, ndërsa Meghan ka deklaruar se kishte ndjesinë se, pavarësisht çfarë bënte, media do të gjente një mënyrë për ta “shkatërruar”./dritare.net