Na ndiqni edhe në

Bota

CNN, Politico dhe MS NOW padisin Trump-in


Tre prej mediave të njohura amerikane, CNN, Politico dhe MS NOW, kanë paditur administratën e presidentit Donald Trump, pasi gazetarëve të tyre iu hoqën kredencialet dhe iu ndalua hyrja në Shtëpinë e Bardhë. Mediat argumentojnë se vendimi cenon të drejtat e garantuara nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.

Përplasja nisi të premten, kur Trump njoftoi se CNN, Politico dhe MS NOW nuk do të lejoheshin më në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i akuzoi mediat se publikojnë “fake news”, “fiction” dhe “gënjeshtra” për të dhe administratën e tij. Të shtunën, gazetarët e tri mediave u paraqitën në Shtëpinë e Bardhë, por kredencialet e tyre rezultuan të çaktivizuara.

CNN, Politico dhe MS NOW iu drejtuan të hënën Gjykatës Federale në Uashington, duke kërkuar ndërhyrje të shpejtë për të bllokuar vendimin dhe për të rikthyer aksesin e gazetarëve.

“Pa asnjë njoftim apo proces, Shtëpia e Bardhë u hoqi kredencialet gazetarëve tanë sepse kundërshtonte raportimin tonë”, deklaruan tri mediat, të cilat argumentojnë se qeveria nuk mund të përcaktojë se çfarë duhet të raportojë apo publikojë shtypi.

Çështja ka shkaktuar reagim edhe nga televizionet e tjera të mëdha amerikane. ABC, CBS, CNN, Fox News dhe NBC kanë dalë së bashku kundër kufizimit të aksesit për shkak të përmbajtjes së raportimit, ndërsa rrjetet televizive pezulluan mbulimin e përbashkët të aktiviteteve të Trumpit nga Shtëpia e Bardhë.

Vendimi preku drejtpërdrejt edhe udhëtimin e Trump-it drejt Nju-Jorkut për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. CNN ishte planifikuar të kryente mbulimin televiziv në emër të grupit të mediave, por Shtëpia e Bardhë e hoqi nga kjo detyrë.

Trump, nga ana tjetër, mohon se po sulmon lirinë e shtypit. Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur qëndrimin se aksesi në Shtëpinë e Bardhë është “privilegj, jo e drejtë”, ndërsa presidenti ka lënë të hapur mundësinë që edhe media të tjera të përjashtohen.

Përplasja pritet tashmë të zhvendoset në gjykatë, ku CNN, Politico dhe MS NOW kërkojnë një urdhër të përkohshëm që të ndalojë zbatimin e vendimit të Trump-it./dritare.net