Na ndiqni edhe në

Sport

Granit Xhaka reagon pasi u përjashtua nga Kombëtarja e Zvicrës

Granit Xhaka reagon pasi u përjashtua nga Kombëtarja e Zvicrës

Granit Xhaka ka reaguar publikisht pas raportimeve se është nën hetim në Zvicër lidhur me një certifikatë të dyshuar të rreme vaksinimi kundër COVID-19, të siguruar gjatë periudhës së pandemisë. Kapiteni i kombëtares zvicerane pranoi se në atë periudhë kishte pasur dyshime dhe shqetësime të mëdha rreth vaksinimit. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Xhaka tha se sot e konsideron të gabuar mënyrën se si veproi.

“Dëshiroj ta trajtoj personalisht këtë çështje. Në atë kohë, në lidhje me vaksinimin kundër COVID-19, isha shumë i pasigurt dhe kisha shqetësime serioze. Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i prekur nga frika dhe pasiguria”, deklaroi Xhaka.

Futbollisti pranoi se, në vend që t’i sqaronte shqetësimet e tij përmes kanaleve zyrtare, kishte marrë një certifikatë vaksinimi.

“Në këtë situatë emocionalisht të ngarkuar, mora një certifikatë vaksinimi në vend që t’i sqaroja pyetjet e mia të pazgjidhura përmes kanaleve të duhura. Sot e shoh qartë se ky nuk ishte veprimi i duhur. Ishte një gabim. Më vjen keq”, tha ai.

Xhaka shtoi se merr përgjegjësinë për vendimin dhe se do të bashkëpunojë me autoritetet zvicerane për sqarimin e plotë të çështjes.

Rasti lidhet me një hetim të Prokurorisë së Kantonit të Lucernës mbi dyshimet se një mjeke kishte lëshuar certifikata vaksinimi pa kryer vaksinimin përkatës. Mjekja i ka mohuar akuzat.

Autoritetet po shqyrtojnë nëse në këtë rast janë kryer vepra penale, përfshirë sigurimin në mënyrë mashtruese të një certifikate të rreme apo falsifikimin e dokumenteve. Sipas raportimeve, Xhaka pritet të paraqitet para prokurorisë muajin e ardhshëm për të dhënë dëshminë e tij.

Pas zhvillimeve të fundit, Xhaka nuk do të jetë pjesë e grumbullimit të radhës të kombëtares së Zvicrës. Federata Zvicerane e Futbollit njoftoi se vendimi është marrë në marrëveshje me lojtarin.

Presidenti i federatës, Peter Knäbel, deklaroi se drejtuesit mirëpresin faktin që Xhaka ka vendosur të flasë publikisht dhe të marrë përgjegjësinë për veprimet e tij.

“E mirëpresim faktin që Granit e ka ndërmarrë këtë hap dhe është i gatshëm të përballet me pasojat. Në të njëjtën kohë, kemi arritur në përfundimin e përbashkët se është në interesin e ekipit që ky grumbullim të zhvillohet pa të”, tha Knäbel.

Pas ndeshjeve të këtij muaji, federata dhe Xhaka pritet të diskutojnë përsëri situatën dhe hapat e mëtejshëm.

Në periudhën kur dyshohet se është siguruar certifikata, Xhaka ishte futbollist i Arsenalit. Ai u largua nga klubi londinez në vitin 2023 për Bayer Leverkusenin, ndërsa në vitin 2025 u rikthye në futbollin anglez me Sunderlandin./K.C/dritare.net