Na ndiqni edhe në

Shëndet

Alergjitë shfaqen papritur edhe në moshë të rritur. Shkencëtarët: Ja çfarë i aktivizon!

Mund të keni konsumuar një ushqim për vite me radhë apo të keni jetuar pa asnjë problem me polenin dhe papritur të zhvilloni një alergji. Edhe pse alergjitë shpesh lidhen me fëmijërinë apo trashëgiminë gjenetike, studiuesit thonë se ato mund të shfaqen për herë të parë në çdo periudhë të jetës.

“Çdo person, në çdo moment të jetës së tij, mund të zhvillojë një alergji të re”, shpjegon alergologia Kelly Colas.

Shkencëtarët po identifikojnë gjithnjë e më shumë faktorë që mund të ndryshojnë mënyrën se si reagon sistemi imunitar. Mes tyre janë infeksionet virale, përdorimi i antibiotikëve, ndryshimet hormonale dhe, në raste të veçanta, edhe pickimet e rriqrave.

Një studim i vitit 2026 zbuloi një lidhje mes infektimit me Covid-19 dhe një rreziku më të lartë për zhvillimin e rinitit alergjik dhe astmës. Sipas studiuesit Philip Curman, infeksioni mund të shkaktojë një reagim të fortë inflamator të sistemit imunitar, përfshirë një lloj inflamacioni të lidhur me sëmundjet alergjike.

Edhe viruse të tjera, si RSV dhe rhinovirusi që shkakton të ftohtin, janë lidhur në studime me efekte të ngjashme, të paktën te fëmijët.

Shpjegimi është se, ndërsa organizmi është duke luftuar një virus, sistemi imunitar mund të reagojë gabimisht edhe ndaj substancave që normalisht janë të padëmshme.

“Nëse trupi juaj ndeshet me një ushqim apo alergjen mjedisor ndërkohë që sistemi imunitar është i mbingarkuar duke luftuar një virus, sistemi imunitar mund të reagojë sikur duhet të heqë qafe gjithçka”, shpjegon Ruchi Gupta, drejtuese e Qendrës për Kërkimin e Alergjive Ushqimore dhe Astmës në Universitetin Northwestern.

Edhe antibiotikët janë lidhur në studime me një rrezik të mëvonshëm për alergji. Një shpjegim i mundshëm është se ata mund të prishin ekuilibrin e mikrobiomës së zorrëve. Kjo, sipas studiuesve, mund të krijojë një lloj “konfuzioni në sistemin imunitar”, duke bërë që organizmi t’i konsiderojë si kërcënim substanca që në të vërtetë janë të padëmshme.

Një tjetër periudhë kur mund të ndryshojë reagimi i organizmit është shtatzënia. Rreth një e treta e grave që kanë alergji mjedisore ekzistuese, sipas Colas, vërejnë se simptomat përkeqësohen pas mbetjes shtatzënë.

Ekziston gjithashtu e ashtuquajtura “rinit i shtatzënisë”, kur një grua që nuk ka pasur më parë alergji fillon të përjetojë teshtima, bllokim apo rrjedhje të hundëve. Ekspertët sqarojnë se kjo nuk konsiderohet domosdoshmërisht një alergji e mirëfilltë dhe simptomat zakonisht zhduken pas lindjes. Ndryshimet hormonale mendohet se luajnë rol në këtë proces. Studime të tjera sugjerojnë se alergji të reja mund të shfaqen edhe gjatë menopauzës.

Por një nga shkaqet më të pazakonta lidhet me pickimin e rriqrave.

Pickimi i rriqrës “lone star”, e përhapur në Amerikën e Veriut, mund të shkaktojë të ashtuquajturën sindroma alpha-gal, duke bërë që një person që ka ngrënë mish të kuq gjatë gjithë jetës të zhvillojë papritur alergji ndaj tij.

Rriqrat mund të transmetojnë përmes pështymës një molekulë sheqeri të quajtur alpha-gal. Sistemi imunitar i njeriut mund ta identifikojë atë si kërcënim dhe, kur personi konsumon më vonë mish që përmban të njëjtën molekulë, mund të shfaqen urtikarie, ënjtje dhe probleme gastrointestinale. Në SHBA, më shumë se 90 mijë raste të sindromës alpha-gal u diagnostikuan vetëm gjatë periudhës 2017-2022.

Në përgjithësi, alergjia krijohet kur sistemi imunitar e trajton një substancë të padëmshme sikur të ishte një pushtues i rrezikshëm. Organizmi prodhon antitrupa kundër saj dhe, sa herë që ekspozohet përsëri, sistemi imunitar kalon në “sulm”. Simptomat mund të variojnë nga rrjedhja e hundëve dhe kruarja e syve deri te anafilaksia, e cila mund të jetë kërcënuese për jetën.

Për momentin, shkencëtarët thonë se nuk ekziston një mënyrë e sigurt për të zhdukur një alergji të re pasi ajo është zhvilluar. Megjithatë, po studiohen trajtime të reja që synojnë të “riedukojnë” sistemin imunitar dhe ta pengojnë atë të reagojë në mënyrë të tepruar ndaj alergjenëve./dritare.net