Trump falënderon Shqipërinë dhe Kosovën për angazhimin në stabilizimin e Gazës
Dritare.net

Presidenti amerikan Donald Trump falënderoi Shqipërinë dhe Kosovën gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke i përmendur mes vendeve që janë angazhuar të kontribuojnë në stabilizimin e Gazës.
“Dua gjithashtu të falënderoj vendet që janë angazhuar të dërgojnë trupa, forca policie dhe të ofrojnë trajnime për të ndihmuar në stabilizimin e Gazës, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe të tjera”, deklaroi Trump.
Në këtë pjesë të fjalimit, presidenti amerikan shprehu mirënjohje edhe për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për mbështetjen që, sipas tij, i kishte dhënë planit amerikan me 20 pika për paqen në Gaza dhe miratimit të Bordit të Paqes.
“Gati 30 vende i janë bashkuar Bordit, të cilin kam nderin ta drejtoj”, u shpreh ai, duke falënderuar vendet që, sipas tij, kanë kontribuar me miliarda dollarë për ndihmën humanitare dhe rindërtimin. Mes tyre përmendi Marokun, Bahreinin, Kazakistanin, Turqinë dhe Uzbekistanin.
Trump tha se fondet po drejtohen aty ku nevojiten dhe se edhe vende të tjera po japin kontribute të konsiderueshme. Në deklaratën e cituar, ai nuk specifikoi veçmas llojin apo përmasat e kontributit të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në vijim, presidenti amerikan përsëriti pretendimin se, që prej marrjes së detyrës, ka ndihmuar në zgjidhjen e tetë luftërave. “Jam bërë mik me udhëheqësit e atyre vendeve”, shtoi ai./K.C/dritare.net