Na ndiqni edhe në

Bota

Trump ultimatum Iranit në OKB: Marrëveshje ose shkatërrim!

Presidenti amerikan Donald Trump ka përdorur fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork për të përsëritur paralajmërimin e fortë ndaj Iranit, ndërsa një pjesë të rëndësishme të fjalës ia kushtoi edhe Inteligjencës Artificiale, të cilën propozoi ta quajë tashmë “Super Inteligjencë”.

Duke folur për luftën me Iranin, Trump mbrojti ndërhyrjen ushtarake amerikano-izraelite dhe tha se Teherani duhet të zgjedhë rrugën e një marrëveshjeje. Presidenti amerikan u shpreh se beson se një marrëveshje mund të arrihet pas zgjedhjeve të ndërmjetme të 3 nëntorit, por paralajmëroi pasoja ekstreme nëse kjo nuk ndodh.

“Kam një vendim të madh për të marrë. A do të arrihet një marrëveshje me Iranin që do t'i lejojë të rindërtohen dhe të krijojnë një vend shumë më të mirë se më parë? Apo ta asgjësoj Republikën Islamike dhe ta bëj shpejt?”, deklaroi Trump. Ai u bëri gjithashtu thirrje vendeve të tjera që t'i bashkohen SHBA-së në izolimin ekonomik të Iranit, me synimin për ta detyruar Teheranin të rikthehet në tryezën e negociatave. Irani, nga ana tjetër, ka mohuar vazhdimisht se synon të zhvillojë armë bërthamore.

Por një tjetër deklaratë që tërhoqi vëmendjen në fjalimin e Trumpit lidhej me Inteligjencën Artificiale. Presidenti amerikan tha se termi “Artificial Intelligence” nuk është më i përshtatshmi dhe njoftoi se në dokumentet e qeverisë amerikane do të përdoret emërtimi “Super Intelligence”.

“Që nga ky moment, të gjitha dokumentet e Shteteve të Bashkuara dhe, shpresojmë, edhe të botës, do të ndryshojnë për të përdorur termin shumë më të saktë ‘super’ në vend të ‘artificial’. Pra, Super Inteligjencë”, tha Trump.

Trump kundërshtoi gjithashtu thirrjet për frenimin e zhvillimit të Inteligjencës Artificiale. “Nuk do ta pengoj rritjen e diçkaje që do të jetë më e madhe se Revolucioni Industrial”, deklaroi ai, duke përsëritur qëndrimin se SHBA-ja duhet të ruajë epërsinë në këtë teknologji.

Fjalimi i Trumpit në OKB vjen në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare, me luftën me Iranin, konfliktin në Ukrainë dhe debatin global mbi rreziqet dhe kontrollin e Inteligjencës Artificiale në qendër të diplomacisë botërore./dritare.net