Na ndiqni edhe në

Bota

Trump nënshkruan marrëveshjen e sigurisë me Danimarkën dhe Groenlandën. Zbardhen pikat kryesore

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar këtë të martë, pas fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, një marrëveshje trepalëshe me Danimarkën dhe Groenlandën për forcimin e sigurisë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut. Marrëveshja i hap rrugën zgjerimit të ndjeshëm të pranisë ushtarake amerikane në Groenlandë, por pa kaluar sovranitetin e territorit te Shtetet e Bashkuara.

Trump e firmosi marrëveshjen së bashku me kryeministren daneze Mette Frederiksen dhe kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen. Ceremonia u zhvillua në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, pas muajsh tensionesh mes Uashingtonit, Kopenhagës dhe Nuuk-ut për shkak të deklaratave të Trumpit se SHBA-ja duhej të merrte kontrollin e Groenlandës.

Një nga pikat kryesore të marrëveshjes është mundësia që SHBA-ja të krijojë dy zona të reja ushtarake në Groenlandë: në Narsarsuaq, në jug, dhe në Mestersvig, në lindje. Marrëveshja i lejon gjithashtu Uashingtonit të modernizojë dhe zgjerojë aktivitetet në bazën ekzistuese hapësinore Pituffik.

Po ashtu, marrëveshja parashikon mundësinë e vendosjes në Groenlandë të elementeve të sistemit amerikan të mbrojtjes raketore “Golden Dome”, me synimin për t’u mbrojtur nga kërcënimet me raketa balistike. Trump deklaroi në OKB se SHBA-ja do të nisë menjëherë procesin për krijimin e një pranie më të madhe ushtarake në ishull.

Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me praninë e vendeve jashtë NATO-s. Sipas marrëveshjes, asnjë shtet që nuk është anëtar i Aleancës nuk do të mund të krijojë instalime ushtarake apo një prani të qëndrueshme ushtarake në Groenlandë, përveç rasteve kur palët bien dakord ndryshe. Kjo pikë lidhet veçanërisht me shqetësimet amerikane për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Arktik.

Marrëveshja ndryshon kuadrin e marrëveshjes së mbrojtjes SHBA-Danimarkë të vitit 1951 dhe nuk parashikon një datë përfundimi. Sipas Associated Press, ajo parashikon gjithashtu se, nëse Groenlanda në të ardhmen bëhet e pavarur, do të angazhohet të qëndrojë në NATO dhe të marrë përsipër të drejtat dhe detyrimet që Danimarka ka në këtë marrëveshje.

Megjithatë, marrëveshja nuk ia kalon Groenlandën Shteteve të Bashkuara. Frederiksen dhe Nielsen kanë theksuar ruajtjen e sovranitetit dhe të drejtën e popullit të Groenlandës për vetëvendosje. Kryeministrja daneze e cilësoi marrëveshjen si një pakt që mund të “zgjasë përgjithmonë”, ndërsa Nielsen e përshkroi atë si një marrëveshje nga e cila përfitojnë të tria palët.

Marrëveshja shënon një ndryshim nga kërkesat e mëparshme të Trumpit për marrjen e Groenlandës nga SHBA-ja. Në vend të ndryshimit të sovranitetit, Uashingtoni siguron një prani ushtarake shumë më të gjerë në një territor që konsiderohet strategjik për sigurinë e Arktikut, mbrojtjen raketore dhe rivalitetin me Rusinë dhe Kinën.