
Historiani dhe akademiku Pëllumb Xhufi ka dhënë një paralajmërim të fortë për zhvillimet në Ballkan dhe ndryshimet që po ndodhin në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. I ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në DritareTV, Xhufi tha se e sheh situatën aktuale si të rrezikshme, ndërsa gjatë bisedës u ngrit pyetja nëse në rajon po “vjen era luftë”.
“Unë nga natyra s’jam shumë optimist, por e shoh gjendjen të rrezikshme. Vjen era luftë." u shpreh Xhufi.
Sipas tij, shqetësimi lidhet edhe me ndryshimin e madh që po ndodh në raportet mes SHBA-së dhe Evropës. Xhufi kujtoi se për dekada marrëdhënia transatlantike kishte funksionuar si një aleancë shumë e fortë, pavarësisht se kush drejtonte Shtëpinë e Bardhë.
“Jemi në një kontekst kur është prishur raporti i Shteteve të Bashkuara me Evropën në mënyrë katastrofale. Presidentët që kanë qenë demokratë apo republikanë, të gjithë i kanë pasur marrëdhëniet me Europën si një aleancë çeliku. Tani Evropa trajtohet si armike e Shteteve të Bashkuara”, tha historiani.
Xhufi e lidhi këtë panoramë edhe me zhvillimet në Kosovë dhe me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së. Ai tha se prej kohësh vihet re një tërheqje e angazhimit amerikan krahasuar me rolin që SHBA-ja pati gjatë krizave në Ballkan në vitet ’90, nga Bosnja e deri te Kosova.
Duke folur për luftën e Kosovës, Xhufi kujtoi se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 bashkoi vendet perëndimore në një mënyrë që, sipas tij, nuk u përsërit në konfliktet e mëvonshme. Ai argumentoi se ndërhyrja erdhi në kushtet e represionit dhe dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Historiani u ndal edhe te Serbia, duke dhënë një vlerësim të ashpër për politikën e saj. “Serbia vazhdon të jetë ai vend agresiv që ka qenë”, tha Xhufi, ndërsa argumentoi se pretendimet dhe përplasjet historike ndaj shqiptarëve vazhdojnë të ndikojnë në marrëdhëniet e sotme në rajon.
Në këtë kontekst, Xhufi e sheh me shqetësim dobësimin e kohezionit mes SHBA-së dhe Evropës, pikërisht në një periudhë kur Ballkani vijon të ketë tensione të pazgjidhura. Për të, kombinimi i këtyre zhvillimeve është arsyeja pse situata nuk duhet nënvlerësuar./K.C/dritare.net