E bëra për t’u hakmarrë për... Zbardhet dëshmia e 52-vjeçarit pas atentatit në Elbasan
Dritare.net

Poli Boriçi, 52-vjeçari i arrestuar për atentatin e dështuar ndaj 50-vjeçarit Ermir Kërtezi në Elbasan, ka dhënë versionin e tij përpara hetuesve lidhur me motivin e sulmit.
Sipas dëshmisë së tij, Boriçi ka pretenduar se veprimin e ka ndërmarrë për t’u hakmarrë për vëllain e tij, të cilin Kërtezi dyshohet se e kishte plagosur rreth 15 vite më parë.
52-vjeçari ka deklaruar se plagosja e asaj kohe kishte sjellë pasoja të rënda për të vëllanë, deri në paralizimin e tij. Për këtë arsye, sipas versionit të Boriçit, konflikti i vjetër mes dy familjeve ka qenë shkaku që e ka shtyrë drejt sulmit ndaj Kërtezit.
Ky version është tashmë pjesë e hetimit, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse konflikti i përmendur ka ekzistuar dhe nëse ai lidhet drejtpërdrejt me atentatin e dështuar.
Por një tjetër version vjen nga vetë shënjestra e sulmit. Ermir Kërtezi ka deklaruar se marrëdhëniet mes dy familjeve ishin normalizuar prej vitesh dhe se nuk kishte pasur konflikte gjatë rreth 15 viteve të fundit. Sipas tij, familjet jetonin pranë njëra-tjetrës dhe situata mes tyre kishte qenë e qetë.
Pikërisht përballë këtyre dy versioneve, hetuesit po përpiqen të rindërtojnë dinamikën e plotë të ngjarjes dhe të përcaktojnë motivin real të sulmit.
Poli Boriçi u arrestua pas reagimit të Policisë, ndërsa atentati ndaj 50-vjeçarit Kërtezi tronditi Elbasanin. Ngjarja fatmirësisht nuk përfundoi me viktima, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave, mënyrën e organizimit të sulmit dhe përgjegjësitë penale të personave të përfshirë.
Autoritetet po verifikojnë gjithashtu të dhënat që lidhen me konfliktin e pretenduar të 15 viteve më parë, për të kuptuar nëse ai është realisht baza e hakmarrjes së deklaruar nga 52-vjeçari./dritare.net
