Vrasja që tronditi Ksamilin/ Kush është 29-vjeçari i dyshuar për vrasjen e turistit francez
Dritare.net

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 20-vjeçarit francez Migel Mendes, i cili u gjet i pajetë rreth orës 05:15 në shezlongët e plazhit, përpara një lokali në Ksamil.
Dyshimet e para të Policisë janë se i riu është goditur me thikë pas një konflikti. Në qendër të hetimeve është 29-vjeçari Sokrat Vata, banues në Has, i cili dyshohet si autor i ngjarjes.
Pas konfliktit, Vata dyshohet se është larguar nga vendngjarja, ndërsa Policia vijoi kontrollet për lokalizimin e tij. Më herët është bërë e ditur se ai u kap në Levan, i fshehur në bagazhin e një automjeti.
29-vjeçari rezulton të ketë një të kaluar kriminale në Britaninë e Madhe, ku në vitin 2024 u dënua me 5 vite burg për disa vepra penale të lidhura me trafikun e kokainës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjetit.
Sipas të dhënave nga autoritetet britanike, Vata ishte ndaluar pas dy rasteve të ndjekjes nga Policia, ku u gjetën kokainë, automjete të vjedhura dhe targa të klonuara. Ai rezultoi gjithashtu pozitiv në testin për drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Hetimet në Shqipëri vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të konfliktit që çoi në vdekjen e 20-vjeçarit francez./dritare.net

