Në çdo cep të atdheut, me çantën e kirurgut dhe “Volvon” e tij legjendare
Dritare.net

*Me rastin e ditëlindjes së kirurgut të shquar shqiptar Prof. Dr. Ilia Maznikut (15 gusht 1943 – 9 maj 2023)
..
Të gjithë kirurgët kanë qarkulluar me shërbime në Shqipëri gjatë kohës së socializmit, sepse ishte e detyrueshme. Pas vitit 1990, Ilia Mazniku ishte nga të rrallët që vazhdonte merrte udhët tashmë shumë më të pasigurta e të ndërlikuara të kohës së re. Shkonte aty ku po zonat po zbrazeshin nga mjekët e për operacioni duhej të shkoje në Tiranë.
Tani nuk kishte më makinë të shtetit në shërbim, kështu që ai përdorte makinën e tij personale, Volvon e famshme që ishte bërë legjendë. Shkonte me shpenzimet e tij dhe refuzonte shpërblimin financiar. Shumica e pacientëve ishin në fakt pikërisht ata që nuk kishin burimet financiare e automjet për udhëtim në Tiranë.
Ishte akt humanitar por edhe guximi sepse kushtet për operacione në rrethe vinin duke rënë. …
Si thotë mjeku i njohur reanimator, Mustafa Bajraktari: “Ai merrte çantën me veglat e operimit që e mbante gati, unë ftohësin me qeset me gjak, e mjetet e mia. Hipnim në makinë e niseshim drejt së panjohurës”.
“Nuk pranonte para, nuk priste shpërblime, një kafe dhe nisej mbrapsht për në Tiranë, dhe – kur kishin fat ata që e prisnin – apo kur kishte shkuar shumë vonë, mund të ulej për drekë”.
Sarandë, Peshkopi, Kukës, Vlorë, Korçë, Rrëshen, Lezhë janë disa nga qytetet e shumta ku ka udhëtuar për të operuar në kushte që sot duken të paimagjinueshme.
…
Në vitin 1997 ka shkuar në Vlorë, në mes të trazirave dhe rrëzimit të shtetit. Udhëtimet në rrethe gjatë atij viti kanë qenë vërtet një akt trimërie e qytetarie Një dëshmi e profesionit mbi të gjitha.
Ndërsa, kur lufta në Kosovë filloi të derdhte në Shqipëri të plagosur e të dëmtuar, filluan edhe udhëtimet në zonat kufitare, kur priteshin të ardhurit deri në Kukës e në Tropojë.
Në Lezhë e priste ortopedi Pashk Gjoni, në Korçë ortopedi Koço Mati, në Vlorë Leonard Sinani, por ai me të cilin takohej më shpesh ishte Gjovalin Bushi i Rrëshenit në Mirditë.
Gjovalinit i kishte premtuar se sa herë që do të kishte nevojë do të ishte aty… që nga ai moment, Mirdita kirurgun e ortopedisë e kishte çështje të gjidhur
Në saje të kësaj lidhjeje, për vite me radhë asnjë mirditor në vitet 1990 e më vonë nuk pati nevojë të nisej me kocka të thyera, të shembura, e me probleme të tjera për në kryeqytet për një operacion kirurgjikal të natyrës së traumës apo të ortopedisë.
Flasim për vite kur rrugët ishin shumë të këqija e automjetet private ende të rralla.
Kur po shkruhej ky libër, Gjovalin Bushi shërbente si drejtor I Urgjencës në Spitalin e Traumës. … I kujtonte ende me shumë detaje e fliste me zemër për vitet kur drejtonte spitalin në Rrëshen e kur Ilia Mazniku vinte nga Tirana sa herë që e thërriste.
“Të betohem! Udhëtonte, bënte gjithë atë rrugë deri në Rrëshen, kryente operacionin dhe kthehej menjëherë. Nuk kërkonte as nuk pranonte shpërblim Vinte me makinën e tij, me shpenzimet e tij. Maksimumi ishte kur arrinim që ta mbanim për drekë. Ishte e vetmja gjë që na lejonte nganjëherë të bënim për të. Asnjëherë nuk na la në baltë!” tregon ai.
Shpesh ia dërgonin grafitë, ai e studionte rastin, pastaj u telefononte që po vinte, mblidhte veglat dhe nisej.
…
Pastaj më vonë, dihej, – thotë dr. Gjovalin Bushi, -sa herë vinte një mirditor në Spitalin e Traumës në Tiranë kërkonte me emër dr. Ilian Se ia kishte mësuar emrin e gjithë Mirdita
Kjo krijoi edhe disa si xhelozira. I kishte thënë ndonjë koleg që “vetëm Ilian thërret për operacionet”, a thua se ishte ndonjë gjë e kërkuar Por Bushi e kishte mbajtur mend ankesën dhe në një periudhë kur Ilia Mazniku ndodhej në Belgjikë për një specializim, u kishte telefonuar kirugëve të tjerë që të shkonin sa here kishte raste operacionesh.
Njëri i kishte kërkuar që t’i dërgonin makinë Një tjetër që t’ia sillnin pacientin në Tiranë. Dikush tjetër justifikohej se kushtet e sallës së operacionit në Mirditë ishin të pamjaftueshme. Kur vinte puna praktikisht nuk gjeje kirurg gati që të linte punët dhe të nisej në Mirditë.
“Nuk m’u durua dhe u thashë: ‘Ja, prandaj nuk bëheni dot si Ilia Mazniku ju!’ Vërtet, kishte disa veti që i ka rrallëkush njeri Tip babaxhani! I jashtëzakonshëm!”
…
Suksesi i tij në Mirditë bëri që Gjovalin Bushi të caktohej drejtor i Spitalit të Traumës në Tiranë, në vitin 2013 Në atë kohë, Ilia Mazniku kishte dalë në pension.
Dy ditë pasi ishte vendosur në zyrën e drejtorit në Tiranë, e merr në telefon Ilia dhe kujton një bisedë të shkurtër:
– Ore, ke filluar drejtor te Trauma? – i tha.
– Po.
– Hajde urime!
– Mirë që more,- se nesër duhet të vish të rifillosh punë
– Ha ha, jo nuk të mora për këtë,- i ishte gjegjur Ilia,- e mbylla atë histori me daljen në pension Të mora të të uroj suksese e t’ia kalosh mirë
Në fakt, shkonte nganjëherë. Takonte miqtë e vjetër dhe mjekët e rinj. I ndihmonte me ndonjë konsultë Kujtonte kohët e vjetra.
“Për mua ka qenë i pazëvendësueshëm si kirurg dhe si njeri”, thotë dr Gjovalin Bushi “Tani mbylle regjistruesin të të tregoj disa të forta, nga humori I tij i jashtëzakonshëm”.
*(Pjesë e redaktuar me disa shkurtime nga libri “Njeriu i njerëzve – Prof. dr. Ilia Mazniku”)/dritare.net