Na ndiqni edhe në

Bota

Rusia kërcënon Britaninë pas sulmeve ukrainase: Do ta paguani!


Rusia ka paralajmëruar Britaninë e Madhe për pasoja pasi u konfirmua se dronë të prodhuar në Britani janë përdorur në sulmet e fundit ukrainase ndaj objektivave ushtarake dhe industriale në territorin rus.

Ambasada ruse në Londër akuzoi Britaninë se po zgjedh “qëllimisht përshkallëzimin e krizës në Ukrainë”, duke paralajmëruar se sa më e madhe të jetë përfshirja britanike në konflikt, aq më i lartë do të jetë “çmimi që do të paguajë”.

Londra u përgjigj se do të qëndrojë “krah për krah” me Ukrainën dhe se Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë e qeverisë britanike për t’iu kundërvënë agresionit rus.

Paralajmërimi vjen në një moment kur Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë në thellësi të territorit rus, duke goditur veçanërisht rafineritë e naftës, qendrat logjistike dhe objektiva të lidhura me industrinë.

Sipas zyrtarëve rusë, vetëm gjatë dy ditëve të fundit qindra dronë ukrainas janë nisur drejt rajonit të Moskës. Në një prej sulmeve u dëmtua edhe një kompleks logjistik i kompanisë Wildberries, ndërsa një vajzë 10-vjeçare u plagos.

Ndërkohë, Rusia ka vijuar sulmet e saj ndaj Ukrainës. Në një prej goditjeve më vdekjeprurëse, dy raketa ruse goditën qendrën e fshatit Peçenihi, në verilindje të Ukrainës, duke vrarë 10 persona.

Britania është ndër mbështetësit kryesorë ndërkombëtarë të Ukrainës që prej nisjes së pushtimit të plotë rus në shkurt 2022. Në prill, Londra njoftoi se do t’i dërgonte Ukrainës dhjetëra mijëra dronë, përfshirë edhe mjete me rreze të gjatë veprimi.

Ndërsa lufta po zgjerohet gjithnjë e më shumë në territorin rus, Moska nuk ka specifikuar se çfarë masash mund të ndërmarrë ndaj Britanisë, por ka paralajmëruar se Londra “do të duhet të përgjigjet” për përfshirjen e saj./K.C/dritare.net