21 vatra zjarri në vend. Ja zonat më problematike!
Dritare.net

Vala e të nxehtit vijon të favorizojë përhapjen e zjarreve në disa zona të vendit. Deri në orën 14:00 të kësaj të diele janë regjistruar 21 vatra, 11 prej të cilave mbeten aktive, ndërsa 3 janë nën monitorim. Qindra forca, mjete zjarrfikëse dhe mjete ajrore janë angazhuar në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes
"Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00 janë regjistruar 21 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.
Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 387 forca operacionale dhe 23 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu 100 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor të Forcës Ajrore.
Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:
* Mali i Dajtit, Tiranë – Vijon puna për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e 50 efektivëve të FA dhe 2 helikopterëve të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
* Vakumone, Shëngjergj – Vijon puna me forcat e MZSH, vullnetarë dhe strukturat vendore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Abaze, Krujë – Zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët. Në terren po punojnë 2 automjete zjarrfikëse, 24 efektivë, 10 vullnetarë dhe 15 forca të ADZM. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Gurë-Lurë, Dibër – Vijon operacioni në një perimetër të gjerë. Janë angazhuar 115 forca bashkiake, 13 forca policore, 11 ADZM, 14 efektivë MZSH me 2 automjete zjarrfikëse, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor dhe një automjet zjarrfikës i FA. Korridoret e hapura kanë penguar avancimin e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë – Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës. Në terren janë 6 forca bashkiake dhe 5 vullnetarë. Nuk ka rrezik për banesat.
* Bruç, Mat – Zjarri ka shtrirje të gjerë në një zonë shkëmbore me akses të vështirë. Në operacion janë 1 automjet zjarrfikës dhe 5 efektivë. Nuk ka rrezik për banesa, stane apo blegtori.
* Lufaj, Mirditë – Vijon puna me 20 forca për hapjen e korridoreve ndarëse, ndërsa në mbështetje është angazhuar edhe 1 helikopter i FA. Vatra mbetet aktive, por me intensitet më të ulët.
* Tharri, Mirditë – Vatra është vënë nën kontroll. Në terren janë 2 automjete zjarrfikëse, 8 efektivë MZSH, 8 forca bashkiake, 15 vullnetarë dhe 5 policë, ndërsa vijon puna për fikjen e plotë.
* Fushë-Lajë, Pukë – Zjarri nuk paraqet intensitet të lartë, megjithëse ka përhapje në sipërfaqe. Në operacion janë 2 automjete zjarrfikëse, 10 efektivë MZSH dhe 16 forca bashkiake. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Rrjoll, Shkodër – Vatra ndodhet në terren të paarritshëm; situata monitorohet nga afër dhe është përdorur edhe dron për evidentimin e shtrirjes së saj.
* Trevllazër, Vlorë – Vatra është nën kontroll, ndërsa MZSH vijon punën për shuarjen e plotë.
* Leminot, Maliq – Një vatër e re është evidentuar në sipërfaqe me barishte dhe shkurre; MZSH Maliq është në terren dhe po punon për shuarjen.
AKMC vijon monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 387 forca operacionale dhe 23 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 100 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Vatrat kryesore vijojnë të jenë në zona të Dibrës, Tiranës, Mirditës, Matit, Krujës, Pukës, Shkodrës, Vlorës dhe Korçës.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa operacionet vijojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive."/K.C/dritare.net