Shqipëria, destinacioni më i mirë për yoga në botë sipas Book Retreats
Dritare.net

Shqipëria është renditur si destinacioni më i preferuar në botë për joga në vitin 2026, sipas të dhënave të reja të platformës BookRetreats.com, ndërsa gjithnjë e më shumë udhëtarë po kërkojnë vende më të qeta dhe më të përballueshme për praktikat e mirëqenies dhe relaksit.
Në raportin “State of Retreats 2026”, i cili bazohet në të dhëna të një dekade dhe në një anketë me 1,040 udhëtarë nga Shtetet e Bashkuara, thuhet se 78% e tyre janë të interesuar të marrin pjesë në një retreat yoga gjatë 12 muajve të ardhshëm, ndërsa kërkimet për retreat-e yoga janë rritur me 15% nga viti në vit.
Sipas të dhënave të brendshme të BookRetreats.com, Shqipëria kryeson renditjen globale të destinacioneve më në trend për vitin 2026, me një rritje prej 203% të interesit, duke lënë pas vende si Tajlanda, Filipinet dhe Vietnami. Shqipëria është bërë shpejt alternativa më e mirë në Evropë për nga vlera krahasuar me Greqinë dhe Kroacinë. Në vitin 2025, ajo mirëpriti 12.47 milionë vizitorë të huaj, 95% prej tyre nga Evropa, duke ofruar shumë nga e njëjta vijë bregdetare dhe diell mesdhetar pa çmimet e larta apo turmat e mëdha.
Sipas raportit, Shqipëria po tërheq tashmë vizitorë edhe për arsye të tjera përveç pushimeve tradicionale. Me rritjen e interesit për retreat që kombinojnë joga me aktivitete të tjera si ecje malore, surf apo gatim, vendi ofron kushte të përshtatshme natyrore.
Rreth 70% e territorit të Shqipërisë është malor, ndërsa Alpet Shqiptare ofrojnë shtigje të vështira dhe pamje të liqeneve akullnajore dhe fshatrave si Thethi dhe Valbona. Në jug, rreth 296 milje vijë bregdetare përgjatë detit Adriatik dhe Jon po bëhen gjithnjë e më të kërkuara për retreat me joga në plazh, të kombinuara me ecje drejt ujëvarave dhe zonave malore.
Gjithashtu, vendi ofron burime natyrore si banja termale dhe lumenj malorë, të cilat po rrisin interesin për përvoja relaksi dhe kontrasti natyror. Këto kushte e bëjnë Shqipërinë një destinacion të përshtatshëm për praktika të relaksit në natyrë, një formë pushimi gjithnjë e më e kërkuar nga udhëtarët.
Shqipëria vlerësohet edhe për qetësinë dhe mungesën e mbingarkesës turistike krahasuar me vendet e tjera mesdhetare, duke u bërë gjithnjë e më tërheqëse për ata që kërkojnë pushim dhe relaks të plotë./dritare.net
