Shqipëria firmos memorandum me kompaninë italiane/ Rama: Do të krijojmë rezervën strategjike të naftës
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë italiane Eni S.p.A., për nisjen e studimit të fizibilitetit që synon krijimin e kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e naftës dhe gazit. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se projekti synon të forcojë sigurinë energjetike të vendit dhe paralajmëroi se brenda verës pritet të regjistrohet kompania e re shtetërore që do të menaxhojë rezervat strategjike të hidrokarbureve.
“Dua të kujtoj se kohë më parë në fillimet e këtij mandati të ri, kemi ndarë me publikun ambicien për të krijuar një forcë të re në tregun e hidrokarbureve, një operator modern dhe dinamik që të bëjë edhe rolin e një rregullatori të tregut në funksion të mundësive më të mira për konsumatorin. Gjatë rrugës, na u shfaq një krizë shumë domethënëse që përsëri vuri në diskutim çështjen e rezervave strategjike të naftës që ne i kemi, sigurisht, të rregulluara me një kuadër ligjor. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh pikërisht këtë marrëdhënie të veçantë strategjike me Italinë dhe raportin e afërt të bashkëpunimit me Eni që është një gjigant global në tregun e hidrokarbureve, por njëkohësisht potencë e madhe që ka edhe prezencën e vet në Shqipëri. Folëm për një bashkëpunim strategjik me krijimn e këtij operatori të ri që do të marrë përsipër edhe krijimin e rezervës strategjike të naftës. Shqipëria s’do të ketë më asnjë dilemë për çfarëdo krize që vjen përpara. Kemi nisur një proces dialogu që na ka sjell sot në firmosjen e këtij hapi të parë në zyrtarizimin e procesit të kompanisë”, tha Rama.
Më tej, Rama shtoi se synohet që pa hyrë gushti, të kryhet edhe regjistrimi i kompanisë.
“Me firmosjen e këtij memorandumi hapim rrugën për të realizuar atë që pa hyrë gushti, të rikthehemi këtu për të deklaruar regjistrimin e kësaj kompanie të re që do të jetë aleat shumë i rëndësishëm i publikut shqiptar dhe garant i rëndësishëm i së nesërmes falë këtij partneritti të ngushtë me Italinë dhe ekselencës që është Eni”, tha kryeministri./dritare.net