Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Trump zgjat edhe një vit gjendjen e emergjencës për Ballkanin Perëndimor



Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur të zgjasë edhe për një vit gjendjen e emergjencës kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, duke e mbajtur në fuqi deri më 26 qershor 2026 regjimin e sanksioneve ndaj individëve dhe subjekteve që konsiderohen se kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe institucionet demokratike në rajon.

Në njoftimin zyrtar të publikuar në Regjistrin Federal, administrata amerikane vlerëson se situata në Ballkanin Perëndimor vazhdon të përbëjë një kërcënim të pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së. Dokumenti përmend dhunën ekstremiste, veprimtaritë destabilizuese, minimin e marrëveshjeve të pasluftës, korrupsionin e rëndë dhe përpjekjet për t'iu shmangur sanksioneve amerikane.

Vendimi nuk krijon një regjim të ri sanksionesh, por rinovon gjendjen e emergjencës që është në fuqi që prej vitit 2001. Në vitin 2021, fushëveprimi i saj u zgjerua për të përfshirë edhe korrupsionin e rëndë dhe veprimet që cenojnë institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor, ndërsa në janar 2025 u miratuan masa shtesë lidhur me zhvillimet në rajon.

Me këtë vendim, autoritetet amerikane ruajnë bazën ligjore për vendosjen ose vazhdimin e sanksioneve ndaj personave dhe organizatave të përfshira në aktivitete që cenojnë paqen, stabilitetin dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor./K.C/dritare.net