Trump propozon ambasadorin e ri të SHBA-ve në Shqipëri
Dritare.net

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar emërimin e Eric Wendt si ambasador të ri të SHBA-së në Shqipëri. Lajmi është bërë publik përmes faqes zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të listës së nominimeve dhe tërheqjeve që i janë dërguar Senatit të Shteteve të Bashkuara për shqyrtim.
"Eric Wendt, nga Kalifornia, të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë“, shkruhet në njoftimin për media nga Shtëpia e Bardhë.
Ky hap është pjesë e procedurës standarde amerikane për emërimin e ambasadorëve, ku Presidenti propozon kandidatin, ndërsa Senati duhet ta konfirmojë përmes një procesi dëgjimor dhe votimi. Vetëm pas miratimit nga Senati, kandidati mund të marrë zyrtarisht detyrën diplomatike në vendin pritës.
Kush është Eric Wendt?
Gjenerallejtënant Eric Wendt lindi më 7 tetor 1964, në Berkeley të Kalifornisë. Ai është një nga figurat e spikatura të ushtrisë amerikane, me një karrierë mbi tre dekada në shërbim aktiv. Ai përfundoi detyrën e tij të fundit si komandanti i pestë i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s, nga i cili u largua më 29 janar 2021.
Gjatë karrierës së tij si oficer i lartë, Wendt mbajti një sërë pozicionesh kyçe në strukturat ushtarake dhe të sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Ai shërbeu si Koordinator i Sigurisë i SHBA-ve për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez në periudhën nëntor 2017 - tetor 2019.
Më herët, ai ka qenë shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA-ve, komandant i Qendrës dhe Shkollës së Luftës Speciale “John F. Kennedy”, si dhe komandant i Operacioneve Speciale në Kore. Gjithashtu, ai ka mbajtur detyrën e zëvendëskomandantit në Komandën Rajonale Veri të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan.
Wendt u emërua oficer në ushtrinë amerikane në vitin 1986 përmes programit ROTC në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara, ku u diplomua në drejtësi dhe shoqëri. Ai vijoi studimet pasuniversitare në Shkollën Pasuniversitare Detare, duke marrë një diplomë master në çështjet e sigurisë kombëtare. Ai doli në pension më 1 mars 2021, pas më shumë se 34 vitesh shërbimi.
Nëse konfirmohet si ambasador në Shqipëri, Wendt do të pasojë ish-ambasadoren Yuri Kim, duke marrë përsipër drejtimin e misionit diplomatik amerikan në Tiranë në një periudhë kur rajoni përballet me sfida të rëndësishme politike dhe gjeopolitike./K.C/dritare.net