Na ndiqni edhe në

Bota

Pse Irani nuk mund të ketë armë bërthamore, ndërsa disa vende të tjera po!

Pse Irani nuk mund të ketë armë bërthamore, ndërsa disa

Vetëm disa vende në botë zotërojnë armë bërthamore: Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Rusia, Kina, Franca, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut. Përveç tyre, Izraeli mendohet të ketë armë bërthamore, por as nuk e konfirmon, as nuk e mohon këtë fakt.

Por, pse disa vende mund t’i kenë armët bërthamore, ndërsa të tjerët jo?

Përgjigjja gjendet në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), i cili është nënshkruar në vitin 1968 dhe është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për shumicën e vendeve në botë, përfshirë edhe Iranin.

Ky traktat lejon që vendet të zhvillojnë programe bërthamore civile për qëllime paqësore, por ndalon përhapjen e armëve bërthamore në vende që nuk i kanë tashmë. Me fjalë të tjera, vetëm ato vende që ishin të njohura si fuqitë bërthamore kur u nënshkrua traktati, mund të posedojnë armë të tilla.

Disa vende si Izraeli, India, Pakistani dhe Sudani i Jugut nuk e kanë nënshkruar traktatin, ndërsa Koreja e Veriut ka dalë prej tij.

India dhe Pakistani nuk njiheshin si vende me armë bërthamore kur filloi NPT-ja dhe nëse do të donin të bashkoheshin tani, do t’u kërkohej të çarmatoseshin. Sudani i Jugut është një shtet i ri dhe nuk ka program bërthamor.

Izraeli ndjek një politikë të qëndrimit të paqartë për armët bërthamore dhe nuk lejon inspektime ndërkombëtare në objektet e tij, gjë që është e kërkuar nga NPT-ja.

Në anën tjetër, Irani dhe disa vende arabe kanë kërkuar prej kohësh që Izraeli të bëjë transparencë dhe të çarmatoset, pasi e konsiderojnë arsenalin izraelit një burim tensioni dhe kërcënim për paqen në rajon.

Irani ka mohuar gjithmonë se kërkon armë bërthamore dhe pretendon se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore, por shumë vende kanë dyshime për këtë.

Në vitin 2002 u zbulua se Irani kishte një program bërthamor sekret që nuk përputhej me detyrimet e NPT-së, duke shkaktuar një krizë që zgjati për shumë vite dhe që ka ndikuar në ngjarjet aktuale në rajon./K.C/dritare.net