
Lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po përshkallëzohet, ndërsa tensionet janë zhvendosur edhe në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, Ngushticën e Hormuzit.
Donald Trump paralajmëroi se do të ishte “shumë keq për të ardhmen e NATO-s” nëse aleatët nuk kontribuojnë në sigurimin e kësaj rruge ujore strategjike.
Trump theksoi se pret që edhe Kina të luajë një rol në mbrojtjen e kanalit dhe la të kuptohet se mund të shtyjë samitin e planifikuar me presidentin kinez Xi Jinping nëse Pekini refuzon të ndihmojë.
Duke folur për gazetarët në bordin e Air Force One, ai tha se po zhvillon bisedime me “rreth shtatë vende” për të organizuar një mision për “policimin” e ngushticës. Trump paralajmëroi gjithashtu se do ta “kujtojë” nëse disa shtete nuk tregohen të gatshme të kontribuojnë.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani nuk ka kërkuar armëpushim dhe se nuk sheh arsye për bisedime me SHBA-në.
“Ne po negocionim me ta kur vendosën të na sulmonin,” tha ai.
Situata në rajon mbetet shumë e tensionuar. Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, një nga më të ngarkuarit në botë, është detyruar të pezullojë përkohësisht fluturimet pas një incidenti me dron.
Ndërkohë Izraeli ka deklaruar se ka ende “mijëra objektiva” për të goditur në Iran, duke paralajmëruar zgjerimin e sulmeve në pjesën perëndimore dhe qendrore të vendit.
Zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për transportin global të naftës, mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet botërore dhe në sigurinë ndërkombëtare./BBC