
Putin flet për një Luftë të Tretë Botërore: Është shqetësuese, s’po bëj shaka!
Dritare.net
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka dhënë një deklaratë alarmante gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, ku shprehu hapur shqetësimin për mundësinë e shpërthimit të një konflikti të gjerë botëror. Ai paralajmëroi se bota ndodhet në një situatë të rrezikshme, ku shumë faktorë po çojnë drejt një përshkallëzimi global.
“Është shqetësuese, dhe nuk po bëj shaka. Ka shumë potencial konflikti. Kjo nuk është thjesht një çështje teknologjie apo politike, por e lidhet drejtpërdrejt me përplasjet që po ndodhin para syve tanë,” – tha Putin gjatë fjalimit të tij.
Putin u ndal veçanërisht te situata në Lindjen e Mesme, duke përmendur me shqetësim konfliktin midis Izraelit dhe Iranit, si dhe zhvillimet përreth objekteve bërthamore iraniane. Rusia, e cila po ndërton dy centrale bërthamore në Iran, e konsideron këtë zonë si shumë të brishtë dhe të rrezikshme për stabilitetin ndërkombëtar.
“Na shqetëson ajo që po ndodh përreth objekteve bërthamore iraniane. Kjo kërkon vëmendje serioze dhe zgjidhje përmes rrugëve paqësore,” – u shpreh presidenti rus.
Në lidhje me luftën në Ukrainë, Putin paralajmëroi për pasoja të rënda nëse Ukraina përdor një “bombë të pisët” (një armë që kombinon eksplozivë me material radioaktiv) kundër territorit rus.
“Nëse një gjë e tillë ndodh, do të ishte gabimi i fundit i Kievit. Shpresoj që askush të mos e çojë situatën deri aty,” – theksoi ai./K.C/dritare.net

















