
Kisha lajmëruar gjithë fisin që do dilja në televizor, Visjan Ukcenaj: Si më hoqën nga transmetimi i Portokallisë!
Dritare.net
Aktori Visjan Ukcenaj ndau disa nga momentet më të vështira, të rrugëtimit të tij artistik.
“Unë kam humbur një audicion në shkollë dhe një në Portokalli. Kam konkurruar një herë në Akademinë e Arteve në vitin 2007 dhe nuk ma dhanë shkollën.”
Rruga drejt ekranit të madh nuk ishte aq e lehtë. Edhe kur mendohej se kishte kaluar çdo pengesë, një zhgënjim i papritur do të vinte nga një prej emisioneve më të njohura të humorit në Shqipëri asokohe, "Portokalli".
“Ndërsa në Portokalli më prenë nga transmetimi. Kam qenë me tim vëlla, e fitova audicionin dhe do bëja një skeç duke hyrë nga publiku sepse nuk ishin të sigurt a bëja a s’bëja. Dola, e bëra materialin, kishte pafund të qeshura. Bëja materialin e gjimnazistit që fliste për zyshën e vet që kishte një gjoks shumë të madh.”
“Arsyeja pse u hoqa nga transmetimi nuk ishte sepse batuta ishte eksplicite, pasi atëherë në Portokalli përdornin edhe batuta më të rënda. Madje këtë batutë e ka përdorur Agroni në një puntatë tjetër. U ndjeva keq sepse ishte një batutë që e kisha bërë unë.”
“Altini pastaj më preu. Kur mbaroi numri, duartrokiti publiku, erdhi Goni me Amin, prezantohem dhe u thashë: ‘Konkurrova në Akademi, por s’ma dhanë shkollën’. ‘Kush janë këta budallenj që s’të kanë dhënë shkollën?’ më thanë. Tha Goni këtë batutën.”
Por zhgënjimi ishte i thellë.
“Ndërkohë unë kisha lajmëruar gjithë fisin që do dilja në televizor dhe prit se po dal hiç. Normalisht u mërzita, se sa kisha mbaruar gjimnazin. Portokallinë e kishim ëndërr sepse ishte i vetmi emision humori dhe normalisht ishte zhgënjim i frikshëm, por s’u mërzita shumë.”
Vendosi të shkojë të hënën për të marrë një përgjigje se çfarë ndodhi. Ajo që dëgjoi ishte befasuese.
“Shkova të hënën për të marrë vesh dhe thotë Altini që: ‘Ti s’mund të përdorësh Portokallinë për të promovuar ose goditur kolegët e mi’, sepse Altini në atë kohë ishte pedagog që zgjidhte studentët në Akademinë e Arteve. Nuk ishte ai me të cilin kisha qenë unë në audicion, por tha: ‘Ti do të godasësh Akademinë’. I thashë: ‘Mua thjesht më pyetën dhe unë u përgjigja, thashë të vërtetën’. Ka qenë i vetmi konfrontim me Altinin. As s’e kisha takuar më përpara, zero. ‘Vazhdo shkollën,’ tha, ‘pastaj shihemi’.”-tregon aktori për UëTëFë Show.
Dalja e parë televizive e Visjan Ukcenajt ndodhi në vitin 2011, në emisionin “Apartamenti 2XL”, ku ai tha se u bë pjesë falë mbështetjes së madhe të Turjan Hyskos, i cili besoi në talentin e tij si aktor./E.P-dritare.net

















