Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Vrasja e Liridonës/ Naim Murseli shtrohet në psikiatri

Vrasja e Liridonës/ Naim Murseli shtrohet në psikiatri

Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, është shtruar në Klinikën e Psikiatrisë tash prej shtatë ditësh, ka thënë drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri. Ai ka thënë se Murseli do të qëndrojë në institut deri sa të bëhet ekzaminimi i plotë i tij, dhe deri kur mjekët e vlerësojnë se është i mjaftueshëm qëndrimi i tij aty.

Mëngjesin e së premtes ai nën përcjelljen e Policisë është dërguar në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e prej aty, më pas ai është kthyer në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

Më 4 qershor, trupi gjykues pati miratuar kërkesën e mbrojtjes së Murselit që atij t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik. Avokatja e Murselit, Teuta Zhinipotoku, e justifikoi kërkesën e shtruar, duke thënë se klienti i saj ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 qershor lëshoi urdhëresë që Instituti ta bëjë ekzaminimin psikiatrik. “Me datë 09.06.2025 trupi gjykues në këtë çështje penale ka lëshuar Urdhëresë përmes së cilës është urdhëruar Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë të bëjë Ekzaminimin Psikiatrik për të akuzuarin N.M”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Murseli ishte deklaruar i pafajshëm në seancën gjyqësore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naim Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive hakmarrjeje dhe përfitim financiar nga një sigurim jetësor në Suedi në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh. Për vrasjen, në aktakuzë thuhet se e ka planifikuar bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke i porositur për ta kryer vrasjen në këmbim të një pagese prej 30 mijë eurosh.

Në ditën e vrasjes, sipas aktakuzës, Murseli ka siguruar armën me 20 fishekë nga Tom Dodaj, për çmimin prej 280 eurosh.

Tom Dodaj e ka pranuar fajësinë për shitjen e armës dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.

Ademaj u vra në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ndërsa rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë grabitjes./KohaNet