Blendi Gonxhja: Ikja e Skënder Kamberit, humbje e madhe për artin shqiptar
Dritare.net

Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, ka reaguar për ndarjen nga jeta të një prej figurave më të rëndësishme të artit pamor shqiptar, Skënder Kamberi, duke e cilësuar këtë humbje si një moment të trishtë për kulturën kombëtare. Në një mesazh ngushëllimi, ministri Gonxhja shprehet se largimi i Kamberit është një humbje e madhe për historinë e pikturës shqiptare dhe për të gjithë komunitetin artistik.
"Me hidhërim të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të një prej figurave më të rëndësishme të artit pamor shqiptar, Skënder Kamberi.
Ikja e tij shënon një humbje të madhe për kulturën kombëtare, për historinë e pikturës shqiptare dhe për të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan artin e tij. Skënder Kamberi ishte një krijues i palodhur, një kërkues i vazhdueshëm dhe një zë i veçantë që arriti të ndërtojë një gjuhë artistike autentike, edhe në kohët më sfiduese.
Me një krijimtari të jashtëzakonshme prej mbi 1,400 veprash, ai la pas një trashëgimi të pasur që përfshin kompozime monumentale, portrete, peizazhe dhe vepra me një forcë të rrallë shprehëse.
Në çdo periudhë të krijimtarisë së tij, nga realizmi socialist deri tek shprehjet më të lira pas viteve ’90, Kamberi arriti të ruajë integritetin artistik dhe të sfidojë kufijtë e kohës, duke i dhënë artit shqiptar dimensione të reja.
Në këtë moment të vështirë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit artistik. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten të gjalla dhe frymëzuese për brezat që do të vijnë.
U prehsh në paqe, Mjeshtër.", shkruan Gonxhja./K.C/dritare.net
