Si ta mbrojmë trurin në epokën e inteligjencës artificiale!
Dritare.net

Në librin e saj të ri "The 21st Century Brain", neuroshkencëtarja Hannah Critchlow shpjegon se si njerëzit mund të përgatiten për një botë që po ndryshon me shpejtësi, sidomos në epokën e inteligjencës artificiale. Sipas saj, edhe pse truri i njeriut nuk ka ndryshuar shumë biologjikisht prej mijëra vitesh, ai ka një aftësi të jashtëzakonshme për t’u përshtatur dhe zhvilluar.
Critchlow thotë se aftësitë më të rëndësishme të së ardhmes nuk do të jenë vetëm ato teknike, por inteligjenca emocionale, empatia, kreativiteti dhe aftësia për të përballuar pasigurinë dhe ndryshimet. Ajo thekson se këto janë aftësi që mund të stërviten dhe përmirësohen gjatë gjithë jetës.
Sipas saj, empatia dhe marrëdhëniet e mira me të tjerët ndikojnë drejtpërdrejt në lumturinë dhe suksesin tonë. Studimet tregojnë se edhe shëndeti i zorrëve mund të ndikojë në sjelljen tonë sociale. Një mikrobiomë më e larmishme në organizëm lidhet me nivele më të larta altruizmi dhe mirëkuptimi ndaj të tjerëve.
Neuroshkencëtarja flet edhe për rëndësinë e kreativitetit. Ajo thotë se mendja prodhon idetë më të mira kur relaksohemi, bëjmë shëtitje në natyrë apo lëmë mendimet të rrjedhin lirshëm. Gjumi i mirë gjithashtu ndihmon trurin të krijojë lidhje të reja dhe të zhvillojë mendim më kreativ.
Një tjetër element kyç është aktiviteti fizik. Ushtrimet ndihmojnë në krijimin e qelizave të reja nervore dhe mbajnë trurin fleksibël edhe me kalimin e viteve. Critchlow rekomandon gjithashtu ushqim të shëndetshëm, më pak ushqime të përpunuara dhe më pak sheqer, pasi këto ndikojnë drejtpërdrejt në energjinë dhe funksionimin e trurit.
Në fund, ajo këshillon njerëzit të mos tremben nga ndryshimet e shpejta të kohës moderne. Sipas saj, njerëzimi gjithmonë ka pasur frikë nga e panjohura, por po aq fort ka pasur edhe dëshirën për të eksploruar, mësuar dhe krijuar gjëra të reja./K.C/dritare.net