5 mijë trupa në Poloni! Reagon Marco Rubio pas lëvizjeve të papritura të ushtrisë amerikane
Dritare.net

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është përpjekur të qetësojë aleatët e NATO lidhur me vendimet e SHBA-së për dislokimin e trupave ushtarake në Evropë.
Deklarata e tij erdhi pas një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Suedi, ku presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se SHBA do të dërgojë edhe 5 mijë trupa shtesë në Poloni.
Ky vendim erdhi vetëm një javë pasi ishte anuluar një dislokim i planifikuar prej 4 mijë trupash në Poloni dhe pak ditë pas njoftimit se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga Gjermania.
Lëvizjet e fundit kanë krijuar konfuzion mes aleatëve të organizatës transatlantike të mbrojtjes. Megjithatë, Rubio deklaroi në një konferencë për shtyp se SHBA-ja po rishikon vazhdimisht praninë e saj ushtarake, duke marrë parasysh angazhimet globale.
Disa trupa amerikane janë aktualisht të përfshira në Lindjen e Mesme, pas konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iran.
Trump e bëri njoftimin për trupat shtesë në Poloni përmes platformës së tij Truth Social, duke thënë se vendimi lidhej me marrëdhënien e tij me presidentin polak Karol Nawrocki, të cilin ai e kishte mbështetur në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
Shtëpia e Bardhë nuk ka sqaruar ende nëse trupat e reja janë pjesë e planit të mëparshëm apo një operacion krejtësisht i ri.
Ndërkohë, muajin e kaluar SHBA njoftoi edhe tërheqjen e 5 mijë trupave nga Gjermania, pas përplasjes mes Trump dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz lidhur me konfliktin me Iranin./K.C/dritare.net