Na ndiqni edhe në

Sport

Përfundon etapa e katërt e edicionit të 83-të të Rrethit Çiklistik të Shqipërisë! Ja kush fitoi

Përfundon etapa e katërt e edicionit të 83-të të

Në Vlorë është zhvilluar etapa e katërt e edicionit të 83-të të “Rrethit Çiklistik të Shqipërisë”, një garë prej 153 kilometrash që solli rivalitet të fortë mes çiklistëve pjesëmarrës.

Pas rreth katër orësh garë, i pari që preku vijën e finishit ishte holandezi Nils Ritmajer, i cili la pas në vendin e dytë grekun Bourgas, ndërsa podiumi u plotësua nga një tjetër holandez, Schouren.

Etapa nisi nga Vlora dhe kaloi përmes Llogarasë, Himarës, Qeparos dhe Kuçit, për t’u rikthyer sërish në qytetin bregdetar, duke ofruar një garë mjaft të luftuar dhe me ritëm të lartë.

Pas përfundimit të garës, Ritmajer u shpreh i kënaqur jo vetëm për fitoren në etapë, por edhe për faktin se tashmë kryeson renditjen e përgjithshme të turit.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, trofeu iu dorëzua fituesit nga presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Hanxhaku, në prani edhe të ish-çiklistit vlonjat Besmir Banushi.

Ndërkohë, të premten pritet të zhvillohet etapa e fundit e garës, e cila do të nisë sërish nga Vlora, do të vijojë drejt Lushnjës dhe do të përfundojë në Fier, ku do të kurorëzohet edhe fituesi i këtij edicioni./K.C/dritare.net