Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zbardhen rekomandimet e Komisionit Evropian për Shqipërinë

Zbardhen rekomandimet e Komisionit Evropian për Shqipërinë

Një dokument i Komisionit Evropian i ka rekomanduar vendeve anëtare të BE-së hapjen e procesit për mbylljen e negociatave me Shqipërinë, duke vlerësuar progresin e deritanishëm të vendit në disa fusha kyçe.

Sipas raportit, i përgatitur pas një procesi reflektimi që ka nisur që në muajin mars, Shqipëria ka marrë një vlerësim pozitiv në kuadër të IBAR-it, si rezultat i përmbushjes së kërkesave të shteteve anëtare.

Komisioni vlerëson veçanërisht reformën në drejtësi, procesin e vettingut dhe forcimin e institucioneve si SPAK, duke theksuar përmirësime të rëndësishme në këtë drejtim.

Megjithatë, në raport theksohet se korrupsioni mbetet ende një sfidë serioze dhe kërkohet rritje e rezultateve konkrete në hetime, dënime dhe konfiskim pasurish, sidomos në nivelet e larta.

BE-ja vlerëson gjithashtu se Shqipëria ka konsoliduar institucionet demokratike dhe kuadrin ligjor për zgjedhje, por kërkon përmirësime në legjislacionin zgjedhor dhe rritje të transparencës parlamentare.

Një tjetër pikë e rëndësishme e raportit lidhet me lirinë e medias, ku kërkohet më shumë mbrojtje për gazetarët, transparencë mbi pronësinë e mediave dhe ulje të presioneve ndaj tyre.

Në fushën e sigurisë, Bashkimi Evropian vlerëson bashkëpunimin e Shqipërisë me Europol dhe Frontex, por kërkon intensifikim të luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik.

Raporti gjithashtu thekson nevojën për kontroll më të fortë të kufijve, përafrim të plotë me politikën e vizave të BE-së, si dhe reforma më të thella në administratën publike dhe shërbimet digjitale.

Në përfundim, Shqipëria vlerësohet si “në rrugën e duhur” drejt një ekonomie funksionale tregu, por me sfida ende të rëndësishme në informalitet, çështjet e pronës dhe funksionimin e administratës shtetërore./dritare.net