Viktimë apo bashkëpunëtore? Rasti i ish-partneres së Jeffrey Epstein që do merret sërish në pyetje
Dritare.net

Nadia Marcinko, ish-partnerja e financierit Jeffrey Epstein, mund të thirret sërish për të dhënë shpjegime nga autoritetet amerikane, pavarësisht një marrëveshjeje të mëparshme që i kishte dhënë imunitet të pjesshëm.
Sipas një hetimi të BBC-së, Marcinko ka qenë për vite me radhë një figurë e afërt e Epstein-it, fillimisht si partnerja e tij kryesore dhe më vonë si asistente dhe pilote e avionit të tij privat. Ajo nuk është akuzuar apo dënuar ndonjëherë për ndonjë vepër penale.
Megjithatë, dokumentet dhe dëshmitë e mbledhura ndër vite e paraqesin atë në një rol të ndërlikuar brenda rrethit të Epstein-it, ku ajo herë shihet si e kontrolluar dhe e abuzuar, dhe herë si e përfshirë në aktivitetet e tij.
Në vitin 2008, ajo u përmend si një nga katër gratë e identifikuara si “bashkëpunëtore të mundshme” në një marrëveshje të prokurorisë që i garantoi imunitet nga ndjekja penale. Megjithatë, tani disa anëtarë të Kongresit Amerikan po kërkojnë rishqyrtimin e rolit të saj, si dhe të të tjerëve të përfshirë në atë rreth.
Sipas raportimeve, disa viktima të Epstein-it kanë deklaruar se Marcinko mund të ketë pasur rol në rekrutimin e grave të tjera, ndërsa ajo vetë ka pretenduar më herët se ka qenë e kontrolluar dhe e dhunuar fizikisht nga Epstein.
Hetimi i BBC-së, i bazuar në email-e dhe dokumente, tregon një marrëdhënie komplekse dhe të varur financiarisht e emocionalisht, ku Marcinko ka jetuar për vite nën ndikimin e fortë të Epstein-it.
Çështja ka rihapur debatin në SHBA mbi kufirin mes viktimës dhe bashkëpunëtorit në rastet e trafikimit seksual, ndërsa ligjvënësit pritet të vendosin nëse ajo do të merret në pyetje zyrtarisht në vazhdim./dritare.net