Rindërtimi i Ukrainës. Rama flet nga Polonia!
Dritare.net

Në një moment kur Europa po përpiqet të projektojë jo vetëm mbështetje politike por edhe një plan konkret për të ardhmen e Ukrainës, kryeministri Edi Rama e pozicionoi Shqipërinë mes vendeve që e shohin rindërtimin si pjesë të arkitekturës së re të sigurisë dhe zhvillimit europian.
Nga Gdański i Polonisë, ai mori pjesë në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference – URC 2026), ku deri me datë 26 qershor janë mbledhur drejtues shtetesh e qeverish, institucione financiare ndërkombëtare dhe përfaqësues të biznesit nga e gjithë bota.
Konferenca synon të mobilizojë mbështetjen ndërkombëtare dhe investimet për rindërtimin afatgjatë të Ukrainës, me fokus te energjia, infrastruktura kritike, logjistika, si edhe forcimi i kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes.
Në sesionin e dytë plenar, Rama mbajti një fjalë përshëndetëse, ku theksoi se rindërtimi nuk duhet të presë fundin e luftës. Ai e lidhi rindërtimin e Ukrainës me integrimi europian të Ballkanit Perëndimor si procese që "përforcojnë njëri-tjetrin, pasi lidhen me forcimin e Europës dhe uljen e cenueshmërive strategjike".
"Besoj se koncepti i këtij takimi është shumë i thjeshtë: nëse rindërtimi pret derisa të bjerë plumbi i fundit, atëherë do të jetë tashmë tepër vonë. Dhe pikërisht për këtë arsye jemi sot këtu. Ndërkohë, Ukraina po rindërtohet, ndërsa njëkohësisht mbron veten. Ky është kuptimi i madh i kësaj konference. Shqipëria është këtu me një bindje shumë të thjeshtë: Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri me të cilën po mbron lirinë e saj. Nga ana tjetër, ne e shohim rindërtimin e Ukrainës dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor si procese që përforcojnë njëri-tjetrin. Të dyja kanë të bëjnë me plotësimin e Europës, forcimin e qëndrueshmërisë së saj dhe uljen e cenueshmërive strategjike. Natyrisht, rindërtimi nuk është bamirësi, por strategji. Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar atë që është shkatërruar, por për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, europiane, moderne dhe të qëndrueshme, duke treguar se e gjithë Europa është e aftë ta bëjë këtë" tha Rama
Gjatë qëndrimit në Gdańsk, kryeministri do të zhvillojë edhe një sërë takimesh dypalëshe me drejtues të kompanive ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues të sektorit të energjisë dhe investimeve, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe mundësi të reja zhvillimi. Pjesë e takimeve është edhe biseda me Kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk.