
Nga Shpetim Luku
Kur Edi Rama kishte lënë Bashkinë e Tiranës dhe ishte thjesht kryetar i Partisë Socialiste, një pasdite po pija kafe me një deputet socialist. Jo një deputet dosido, por një nga figurat më të forta të partisë në qarkun e tij, me peshë reale elektorale dhe ndikim politik.
Siç ndodh zakonisht në tavolina të tilla, biseda rrëshqiti tek politika.
"Mos vdeksha pa e bërë njëherë Edi Ramën kryeministër!", tha ai me një pasion që nuk linte vend për dyshime. Më pas pasoi një lumë elozhesh për kryetarin e partisë së tij. Ishin aq të shumta dhe aq të zjarrta, sa sot nuk do të mund t'i rikujtoja të gjitha. Nuk fliste si një njeri që recitonte sloganet e partisë; fliste me bindjen se po shprehte një të vërtetë.
Koha, si gjithmonë, bëri të sajën.
Rrethanat politike ndryshuan. Marrëdhëniet mes tyre u prishën. Deputeti u largua, u kthye në kundërshtar të Ramës dhe, më vonë, edhe në Parlament u rreshtua në anën e opozitës.
Ne vazhduam të takoheshim herë pas here. Vetëm se tashmë kishte ndryshuar krejt repertori. Lumi i dikurshëm i komplimenteve ishte shndërruar në një lumë sharjesh, akuzash dhe fyerjesh, të stolisura me një fantazi të admirueshme.
Një ditë nuk durova më.
"Jo," i thashë, "e ke kot. Ti ma ke mbushur mendjen herën e parë. Atëherë më the se ishte njeriu më i jashtëzakonshëm. Tani nuk mund të ma ndryshosh mendjen duke më thënë se është njeriu më i keq. Nuk është e mundur që për të njëjtin person të kesh pasur dy herë të drejtë, në dy skajet krejt të kundërta."
Ai shpërtheu në të qeshur.
Që nga ajo ditë, sa herë takoheshim në prani të miqve, e tregonte vetë këtë histori dhe e mbyllte me humor:
"Vetëm ky ma ka mbledhur!"
Por kjo nuk është vetëm një histori mes dy njerëzve. Është edhe arsyeja pse shumë qytetarë i dëgjojnë sot me skepticizëm ish-zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste që janë kthyer në kritikët më të ashpër të saj. Jo sepse është e pamundur të ndryshosh bindje. Përkundrazi, njerëzit ndryshojnë dhe edhe bindjet mund të ndryshojnë. Por kur i njëjti person kalon nga adhurimi pa kufi tek demonizimi pa kufi, publiku fillon të dyshojë se problemi nuk ka qenë kurrë personi për të cilin fliste, por besueshmëria e atij që flet. Kujtesa e qytetarëve është shpesh më e fortë se sa mendojnë politikanët./dritare.net