Nga Julika Prifti
Edhe pse Tirana e viteve '60 mbante peshën kryesore të jetës kulturore në vend, skena e saj artistike mbetej e zbehtë dhe e izoluar. Sipas mundësive, disa ndiqnin programet televizive të RAI-it dhe stacione të tjera të huaja në radio për të qenë pak të lidhur me jetën artistike të botës, për të njohur këngët dhe artistët e mëdhenj, koncertet e tyre në Romë, Paris, Londër, si një botë e pakapshme për ne. Prej koncerteve të muzikës së lehtë me “këngëtarë të jashtëm” në fillim të viteve '80 kujtoj koncertin e artistes greke, Marinella në Pallatin e Sportit Partizani, në fund të viteve '80 Albano dhe Romina Power, në stadiumin Qemal Stafa, një shfaqje e mrekullueshme që më mbush me emocion e nostalgji edhe sot.
Atëherë ishte koha kur artistët shqiptarë vështirë se mund të ngjiteshin në skenat ndërkombëtare, ndërsa sot yjet tona të muzikës ngjiten në platformat më prestigjioze të botës. Prej tyre veçoj Rita Orën, me të cilën ndiej një afërsi familjare ndonëse nuk ishim takuar kurrë dhe u përkasim brezave të ndryshëm. Kjo lidhje e ka zanafillën tek arti dhe artistët në familjet tona. Tregimi i babait tim "Tre Vetë Kapërcejnë Malin" frymëzoi dy projekte kinematografike. Në Kosovë u jetësua si film televiziv nga regjisori i madh Besim Sahatçiu, ndërsa në Shqipëri u realizua si produksion me skenar të Naum dhe Vladimir Priftit e regjinë mjeshtërore të Vladimir Prifti.
Rita Ora është mbesa e regjisorit të ndjerë Besim Sahatçiu. Ai e kishte shprehur shpesh dëshirën për ta kthyer mbiemrin e tij në shqip dhe mbesa e ka çuar në vend atë amanet. E frymëzuar edhe nga lidhja shpirtërore midis dy artistëve në familjet tona, unë u nisa bashkë me shoqen e gjimnazit për në koncertin e Ritës në Ohër. Ishte si një udhëtim në kohë, por edhe një takim prekës me ëndrrat e rinisë sonë.
Koncerti i Rita Orës, një nga ngjarjet muzikore të sezonit të festivaleve verore 2026, ishte një spektakël plot gjallëri, energji dhe profesionalizëm, me interpretime të këngëve të saj më të njohura dhe ato më të rejat.
Mes shumë të rinjve në stadiumin "Bilhanini Izvari" edhe ne u ndjemë sërish gjimnaziste. Kënduam, duartrokitëm dhe shijuam çdo moment të mbrëmjes. Përshëndetja në gjuhën shqipe e Rita Orës e ndezi edhe më shumë entuziazmin e të rinjve të shumtë shqiptarë. Bukuria e Ohrit, freskia e liqenit, atmosfera e qytetit e koncertit u bashkuan në një mbrëmje të paharrueshme tek të gjithë pjesëmarrësit.
Dikur ëndërronim të shihnim artistët e mëdhenj të botës, sot udhëtojmë për të duartrokitur një artiste shqiptare në skenat botërore. Artistë si Rita Ora i kanë dhënë emrit shqiptar një vend të merituar në skenën botërore. Ata na bëjnë të ndihemi më të pasur shpirtërisht dhe më krenarë për identitetin tonë. Ndërsa Rita ndez dritat e skenave të festivaleve verore, ajo ndriçon edhe një pjesë të shpirtit të atij brezi që dikur guxonte vetëm të ëndërronte./Gazeta Dielli