Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

E rëndë në Shkodër/ 25-vjeçari qëllon babë e bir, 24-vjeçari ndërron jetë

Shkodër – Një konflikt mes tre personave ka përfunduar me përdorimin e thikës dhe armës së zjarrit, duke shkaktuar vdekjen e një 24-vjeçari. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 05:30 në lagjen “Kongresi i Përmetit”, në Shkodër.

Sipas Policisë, gjatë konfliktit, 25-vjeçari Andri Vulaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj babë e biri, Qamil Luli, 63 vjeç, dhe Ylber Luli, 24 vjeç.

Si pasojë e plagëve të marra, 24-vjeçari Ylber Luli u dërgua në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.

Nga ana tjetër, hetimet paraprake kanë ngritur dyshimet se konflikti ka nisur më herët dhe se babë e bir kanë plagosur me thikë 25-vjeçarin Vulaj.

Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e 25-vjeçarit. Gjithashtu, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.

Motivet e përplasjes mes tre personave mbeten ende të paqarta.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, përcaktimin e përgjegjësive të secilit prej personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes./L.F-dritare.net