Si zgjoheshin njerëzit përpara shpikjes së orës me zile?
Dritare.net
Sot mjafton një alarm në telefon për t’u zgjuar në mëngjes, por si ia dilnin njerëzit dikur, kur orët me zile nuk ekzistonin? Një artikull i BBC-së zbulon mënyrat e pazakonta që përdoreshin ndër shekuj për të nisur ditën në kohë.
Përpara përhapjes së orëve me zile, njerëzit mbështeteshin te drita e diellit, këndimi i gjelave dhe kambanat e kishave. Por në disa qytetërime u shpikën edhe mekanizma të veçantë.
Në Kinën e lashtë përdoreshin qirinj të shënuar me intervale kohore, të cilëve u vendoseshin gozhdë të vogla. Kur qiriu digjej, gozhda binte në një enë metalike, duke krijuar zhurmë për të zgjuar njerëzit. Një tjetër metodë ishte përdorimi i temjanit, i cili, gjatë djegies, çlironte toptha metalikë që binin dhe prodhonin tinguj.
Në Greqinë e lashtë, filozofit Platon i atribuohet krijimi i një alarmi me ujë, që prodhonte një fishkëllimë të fortë falë presionit të ajrit.
Por një nga profesionet më të pazakonta u shfaq gjatë Revolucionit Industrial në Britani. Të ashtuquajturit knocker uppers paguheshin për të zgjuar punëtorët, duke trokitur në dritaret e tyre me shkopinj të gjatë ose duke qëlluar kokrra bizeleje në xham.
Këta njerëz nisnin punën shpesh që në orën 03:00 të mëngjesit dhe nuk largoheshin derisa të siguroheshin se klientët ishin zgjuar. Profesioni ishte veçanërisht i përhapur në qytete si Mançesteri, Lidsi dhe Londra.
Me përhapjen e orëve mekanike me zile, në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, këto metoda nisën të zhdukeshin.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se zakonet e dikurshme mund të na mësojnë diçka edhe sot: ekspozimi ndaj dritës natyrale në mëngjes dhe ruajtja e një orari të rregullt gjumi ndihmojnë trupin të zgjohet më lehtë, madje edhe pa alarm./dritare.net