Moti i keq godet Italinë dhe Greqinë! Rrugët kthehen në lumenj, alarm në disa rajone!
Dritare.net
Moti i keq ka goditur Italinë dhe Greqinë këtë të hënë duke shkaktuar përmbytje në disa zona të Greqisë dhe duke vënë në alarm autoritetet italiane për rrezikun nga reshjet intensive dhe stuhitë.
Situata më kritike paraqitet në ishullin grek të Rodosit, ku stuhia “Agneta” ka shkaktuar dëme të konsiderueshme. Reshjet e dendura, që kanë vazhduar për rreth 17 orë, kanë kthyer rrugët në lumenj, ndërsa dhjetëra automjete janë marrë përpara nga rrjedha e fuqishme e ujit.
Zona më e prekur është Archangelos, ku dalja e një lumi nga shtrati ka përmbytur banesa, biznese dhe rrugë. Sipas mediave greke, të paktën 60 automjete janë rrëmbyer nga uji ose kanë pësuar dëmtime, ndërsa disa prej tyre kanë përfunduar në det.
Autoritetet greke kanë aktivizuar numrin e emergjencës 112, duke u kërkuar banorëve dhe turistëve të kufizojnë lëvizjet. Shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë për largimin e ujit dhe shpëtimin e qytetarëve të rrezikuar. Shkollat janë mbyllur në disa zona të Rodosit.
Probleme nga përmbytjet janë raportuar edhe në Samos, Kalymnos dhe Volos. Shërbimi zjarrfikës grek ka marrë të paktën 58 thirrje për ndihmë në zonat e prekura.
Ndërkohë, edhe Italia është në gatishmëri për shkak të motit të rënduar. Mbrojtja Civile italiane ka shpallur alarmin portokalli në rajonet e Pulias dhe Bazilikatës, për shkak të rrezikut nga stuhitë dhe përmbytjet. Alarm i verdhë është vendosur në Kalabri, Kampania, Molise, Abruzzo dhe Sicili.
Autoritetet italiane paralajmërojnë reshje të dendura, erëra të forta dhe stuhi që mund të shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje dheu.
Sipas parashikimeve meteorologjike, moti i keq në Greqi pritet të vijojë edhe të martën, më 3 nëntor, duke prekur veçanërisht pjesën perëndimore dhe veriore të vendit, si dhe ishujt e Egjeut. Përmirësimi gradual i kushteve atmosferike pritet nga e mërkura./dritare.net