Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Veliaj u transferua në burgun e Fierit pa iu vënë në dispozicion urdhri
Dritare.net
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, pas monitorimit në burgun e Fierit, ka evidentuar disa problematika lidhur me transferimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga Durrësi në Fier.
“Sipas deklarimeve të të paraburgosurit, transferimi iu njoftua më 28 tetor, pa iu vënë në dispozicion dokumentacioni përkatës dhe pa iu shpjeguar fillimisht as institucioni ku do të dërgohej”, thuhet në deklaratën e KShH-së. Sipas Komitetit, urdhri mbante klasifikimin “i kufizuar”, me afat deri në dy vjet, ndërsa motivi i transferimit ishte shënuar në mënyrë të përgjithshme “për arsye sigurie”.
KShH bën me dije se, dy ditë pas transferimit, Veliaj nuk kishte mundur të komunikonte me familjarët dhe personat e tjerë me të cilët kërkonte të kontaktonte, përfshirë avokatin e tij.
“Dokumentacioni mjekësor dhe psikosocial ende nuk ishte administruar”, thuhet në deklaratë. KShH shton se Veliaj kishte deklaruar se kishte një frakturë në këmbën e majtë dhe se nuk kishte kryer kontrollin radiologjik të rekomanduar.
Komiteti ngre gjithashtu çështjen e komunikimit të Veliajt me përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se paraburgimi “nuk nënkupton automatikisht humbjen e funksionit publik apo të çdo mundësie për ushtrimin e kompetencave që nuk janë kufizuar ligjërisht”.
Në përfundim, KShH i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të sqarojë bazën ligjore dhe arsyet e transferimit, klasifikimin e urdhrit, si dhe nëse janë shqyrtuar institucione të tjera më pranë familjes dhe gjykatës kompetente./dritare.net