Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zjarret pushtojnë vendin! 11 vatra ende aktive, ja zonat më problematike

Situata e zjarreve vijon të mbetet problematike në disa zona të vendit. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 11 janë ende aktive, 5 po mbahen nën mbikëqyrje, ndërsa 16 janë shuar, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Për përballimin e situatës janë angazhuar në nivel kombëtar 735 forca vendore dhe 64 automjete zjarrfikëse. Operacioneve u janë bashkuar edhe Forcat e Armatosura me 475 efektivë, 7 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe një avion Air Tractor. Gjatë ditës së sotme parashikohet që 160 efektivë të FA-së të vijojnë ndërhyrjet në zonat problematike.

Një nga vatrat ku po përqendrohen forcat është Mali i Dajtit, ku krahas strukturave të bashkisë janë angazhuar 77 ushtarakë dhe një helikopter.

Situata po ndiqet nga afër edhe në Bardhaj të Shkodrës, ku në operacion janë përfshirë 5 automjete zjarrfikëse, shërbimi pyjor dhe strukturat e emergjencave civile. Forcat e Armatosura kanë ofruar një automjet zjarrfikës dhe një helikopter, ndërsa sot operacionit i janë shtuar 33 efektivë dhe një ambulancë.

Angazhim i madh ka pasur edhe në Fier, me 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë dhe 90 forca të tjera. Në ndihmë kanë shkuar edhe 90 ushtarakë, një helikopter dhe një avion Air Tractor. Gjatë ditës së sotme operacioni vijon me mbështetjen e 33 forcave.

Ndërkohë, lajme pozitive vijnë nga Himara, ku operacioni është përmbyllur pas shuarjes së zjarrit. Për përballimin e flakëve atje ishin mobilizuar 26 automjete zjarrfikëse, 120 efektivë, 40 vullnetarë, 67 forca bashkiake, 20 efektivë policie dhe 180 ushtarakë të mbështetur nga dy helikopterë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, ndërsa strukturat operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave, pronës dhe mjedisit./dritare.net