Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

AfD bën histori në Gjermani/ Çfarë do të thotë kjo fitore për Evropën!

Marrë nga BBC

Rezultati i fortë i Alternativës për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet lokale në Saksoni-Anhalt po konsiderohet një moment me rëndësi jo vetëm për politikën gjermane, por edhe për të ardhmen politike të Evropës.

Analistët e kanë përshkruar rezultatin si një “tërmet politik” dhe një pikë kthese për Gjermaninë. Edhe pse Saksoni-Anhalt është një nga landet më të vogla të vendit dhe AfD nuk arriti të siguronte shumicën absolute, përmasat e mbështetjes së marrë nga partia e djathtë kanë shkaktuar jehonë të madhe.

Rezultati shton presionin mbi qeverinë e koalicionit në Berlin dhe veçanërisht mbi kancelarin Friedrich Merz, i cili kishte premtuar se do të frenonte rritjen e AfD-së. Partia gëzon prej kohësh mbështetje të fortë në lindje të Gjermanisë, ndërsa tashmë sondazhet e nxjerrin atë mes forcave kryesore edhe në nivel kombëtar.

Rezultati në Saksoni-Anhalt merr një peshë të veçantë edhe për shkak të historisë së Gjermanisë. Sipas analizës së BBC-së, bëhet fjalë për një nga sukseset më të mëdha elektorale të një force nacionaliste të së djathtës së fortë, me mundësi reale për të pretenduar qeverisjen në nivel rajonal, që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Autoritetet gjermane kanë klasifikuar disa degë rajonale të AfD-së, përfshirë atë në Saksoni-Anhalt, si ekstremiste të djathta.

Trump dhe Moska reagojnë ndaj rezultatit
Rezultati ka tërhequr vëmendjen edhe jashtë Gjermanisë. Presidenti amerikan Donald Trump publikoi në Truth Social rezultatet e sondazheve, ndërsa biznesmeni rus Kirill Dmitriev e cilësoi rezultatin e AfD-së “historik”.

AfD ka mbajtur një qëndrim dukshëm më të favorshëm ndaj afrimit me Moskën sesa partitë tradicionale gjermane. Ajo kërkon ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën, heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe rikthimin e importeve të energjisë ruse.

Kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme për Gjermaninë, ekonomia dhe industria e së cilës u goditën nga ndërprerja e furnizimeve të lira energjetike ruse pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Evropa sheh me shqetësim rritjen e forcave nacionaliste
Edhe në pjesën tjetër të Evropës rezultati po ndiqet nga afër, veçanërisht në prag të një periudhe të ngarkuar zgjedhore në disa prej vendeve më të mëdha të BE-së.

Kreu i partisë spanjolle Vox, Santiago Abascal, e cilësoi rezultatin e AfD-së si “një shpresë të madhe për Gjermaninë dhe Evropën”. Në anën tjetër, ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, paralajmëroi se fitorja e së djathtës së fortë në një palë zgjedhje rajonale gjermane përbën një moment serioz për kontinentin.

Rritja e partive nacionaliste dhe euroskeptike shihet me shqetësim në Bruksel, në një kohë kur Bashkimi Europian përballet njëkohësisht me luftën në Ukrainë, marrëdhëniet e vështira tregtare me SHBA-në dhe konkurrencën ekonomike nga Kina.

Rezultati i Saksoni-Anhalt shihet gjithashtu si një sinjal i fortë për partitë tradicionale. Shqetësimet për emigracionin, sigurinë, ekonominë, rritjen e kostos së jetesës dhe luftërat në Ukrainë e Lindjen e Mesme po ndikojnë gjithnjë e më shumë te votuesit europianë.

Mesazhi që del nga vota gjermane është se një pjesë në rritje e elektoratit ndihet e zhgënjyer nga forcat politike që ka mbështetur prej dekadash dhe është gjithnjë e më e gatshme të provojë alternativa të reja.

Slogani i AfD-së në Saksoni-Anhalt ishte “Gjithçka është e mundur!”. Rezultati i zgjedhjeve tregon se, të paktën për një pjesë të konsiderueshme të votuesve gjermanë, kjo alternativë tashmë po shihet si një mundësi reale për qeverisje./dritare.net