Na ndiqni edhe në

Editorial

Një vizitë e denjë për kryetarin e Bashkisë së Tropojës


Nga Dritan Hila

Pavarësisht triumfalizmit që po përpiqen t’i japin fansat dhe vartësit e tij, apo zhvlerësimin që duan t’i bëjnë kundërshtarët e tij në media, realiteti është se vizita e Berishës në SHBA nuk ka të krahasuar me atë të një burri shteti, apo qoftë edhe opozitari.

Pritësit e tij ishin emigrantë shqiptarë, pronarë kafenesh apo shoferë kamionësh në pension. Fatkeqësisht niveli i diasporës sonë në pritje të Berishës është i tillë dhe nuk mund të krahasohet me atë të një shekulli më parë. Një diasporë që dikur përfaqësohej me njerëz të penës sot përfaqësohet nga persona që nuk kanë vlerë në politikën amerikane, pavarësisht se janë shumë më tepër në numër se dikur. Diaspora jonë është vite drite larg asaj greke, kroate apo qoftë edhe serbe, të cilët kanë ndikim deri në Shtëpinë e Bardhë. Këta pritën Berishën. Ishin më shumë bashkëkrahinorë të Berishës dhe si e tillë e gjitha ngjante me mikpritjen që emigrantët i bëjnë një bashkëfshatari të tyre sesa me të shefit të opozitës.

Akoma më të mjerë e bënte të gjithën prania e shoqëruesve të tij të cilët më shumë sesa për tru dallohen për besnikëri dhe zell që të bien në sy të tij, zell të shtirë që e shfaqnin në selfit.

Vizita e shefit të opozitës, do të kishte kuptim të komentohej nëse pritej nga një titullar qoftë edhe i dorës së tretë i Departamentit të Shtetit. Asgjë e tillë nuk është parashikuar. Nëse pritej qoftë edhe nga një nëpunës pastrimi i Shtëpisë së Bardhë. Zero. Ka vetëm një pjesëmarrje në një takim republikanësh në Texas ku askush nuk mban llogarinë se kush hyri e kush doli e që një ftesë e tillë nuk është e vështirë të sigurohet.

Një udhëheqës që synon pushtetin dhe ka mbështetjen e Amerikës për këtë udhë e ka axhendën të zënë me takime me funksionarë të administratës amerikane, Departamentit të Shtetit, Pentagonit, shërbimeve sekrete, dhe jo me dreka e darka me emigrantë që më shumë të shikojnë si kuriozitet i arkeologjisë politike sesa politikan aktiv. E gjithë sforco e PD-së për të paraqitur më në fund hyrjen në SHBA të Berishës si triumf të tij dhe një start për rrugën drejt pushtetit nuk ka asgjë të tillë. U duhet vetëm për të mbajtur të shtrënguara radhët e atyre që u kanë mbetur. Në vend se të ishte një uverturë drejt pushtetit, udhëtimi i Berishës është rënia e perdes së një karriere që ndoshta e mbylli siç donte: në takim me bashkëfshatarët e tij, me dreka që më shumë se dasma ngjajnë me dreka morti./dritare.net