Digjen varrezat në fshatin Rras të Lezhës, në rrezik banesat dhe një Kishë!
Dritare.net
Situata e zjarrit në Ungrej të Lezhës është përkeqësuar gjatë ditës së sotme, ndërsa flakët po përhapen të favorizuara nga era e fortë dhe bimësia e dendur.
Zjarri ka përfshirë dhe djegur varrezat në fshatin Rras, ndërsa flakët po rrezikojnë edhe zonat e banuara në fshatrat Rras dhe Zimaj.
Në rrezik është gjithashtu Kisha në Rras të Butë, e cila ishte rindërtuar vetëm pak javë më parë.
Forcat zjarrfikëse, efektivë të ushtrisë dhe strukturat e emergjencave civile ndodhen në terren dhe po punojnë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të penguar përhapjen e tyre drejt banesave.
Ndërhyrja po vështirësohet nga terreni i thyer, i cili pengon punën e forcave nga toka. Era e fortë vijon të favorizojë përhapjen e zjarrit, duke e bërë situatën edhe më të vështirë./dritare.net