Trump: Marrëveshja SHBA-Iran është pranë, ditë historike për Izraelin e Libanin!
Dritare.net

Një armëpushim dhjetëditor ka hyrë në fuqi mes Izraeli dhe grupit të armatosur Hezbollah, me shpresën për të ndalur luftimet gjashtëjavore në Libanin jugor.
Megjithatë, situata mbetet e brishtë. Edhe pse marrëveshja nisi në mesnatë sipas orës lokale, Hezbollahu vijoi sulmet me raketa në veri të Izraelit, ndërsa bombardimet izraelite, sipas raportimeve, vazhduan edhe për rreth 30 minuta pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.
Izraeli këmbëngul se trupat e tij do të qëndrojnë në zonat e pushtuara në jug të Libanit, ndërsa Hezbollahu pretendon se marrëveshja u jep libanezëve të drejtën për të rezistuar. Kjo e bën armëpushimin një marrëveshje tepër të brishtë.
Nga ana tjetër, Irani e ka mirëpritur armëpushimin, por ka kërkuar tërheqjen e plotë të Izraelit nga territori libanez.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur optimizëm për një marrëveshje më të gjerë me Iranin. Ai deklaroi se negociatat mund të rifillojnë këtë fundjavë, duke shtuar se palët janë “shumë afër” arritjes së një dakordësie.
Duke folur në një aktivitet në Las Vegas, Trump u shpreh se konflikti po zhvillohet “shumë shpejt” dhe mund të përfundojë së shpejti. Ai pretendoi gjithashtu se Irani ka rënë dakord të dorëzojë uraniumin e pasuruar dhe të mos zhvillojë armë bërthamore, megjithëse Teherani nuk ka reaguar ende ndaj këtyre deklaratave.
Më vonë gjatë ditës, rreth 40 vende pritet të marrin pjesë në një takim të përbashkët të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, për të diskutuar garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Në këtë klimë të tensionuar, mbetet për t’u parë nëse armëpushimi do të zgjasë dhe nëse diplomacia do të arrijë të shmangë një përshkallëzim të ri të konfliktit në rajon./BBC