Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pallatin që u dogj do ta rindërtojë kompania, Bashkia e Tiranës dëmshpërblim për orenditë

Pallatin që u dogj do ta rindërtojë kompania, Bashkia e

Apartamentet e dëmtuara nga zjarri në kompleksin e banimit pranë QSUT do të rindërtohen nga kompania e ndërtimit, ndërsa orenditë shtëpiake të banorëve do të dëmshpërblehen nga Bashkia e Tiranës. Ndërkohë, autoritetet janë në pritje të akt-ekspertizës për të përcaktuar nëse ngjarja do të klasifikohet si fatkeqësi natyrore.

Drejtori i Emergjencave Civile dhe Komunikimit me Publikun në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango, tha se është ngritur një grup pune dhe se fondi për dëmshpërblimet është i gatshëm.

“Po presim aktekspertizën. Ne kemi fond për dëmshpërblimin e orendive dhe nëse është e nevojshme, mund të kërkojmë shtesë,” u shpreh Dango.

Ai theksoi gjithashtu se menjëherë pas njoftimit për zjarrin janë marrë masa për evakuimin e banorëve dhe për strehimin e tyre të përkohshëm.

“Ne përgatitëm qendrat sociale dhe banesat sociale, por më pas është në dëshirën e qytetarëve,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, Avokati i Popullit, Endri Shabani, bëri me dije se është ngritur një task-forcë për të analizuar sigurinë e objekteve në Tiranë, duke e konsideruar ngjarjen si pjesë të një problemi më të gjerë.

“Ne nuk do të merremi vetëm me këtë rast, pasi nuk është një rast i izoluar; është një fenomen i përsëritur,” deklaroi Shabani.

Ndërkohë, banorët e prekur nga zjarri kanë gjetur përkohësisht zgjidhje individuale për strehimin, ndërsa presin vendimet konkrete dhe dëmshpërblimet nga autoritetet. Ngjarja ka rikthyer edhe një herë në vëmendje çështjen e sigurisë në ndërtesat e banimit dhe nevojën për kontrolle më të rrepta në kryeqytet./K.C/dritare.net