
Edith Durham i tregoi botës Shqipërinë! Ata e pagëzuan si Kralica e Maleve
Dritare.net
Në një nga viset më të thella e më të egra të Alpeve Shqiptare, aty ku natyra ruan ashpërsinë e saj të pacënuar dhe tradita jeton e gjallë, qëndron një monument i thjeshtë, por i mbushur me emocion dhe histori. Është një përkujtimore për Edith Durham, udhëtarja dhe studiuesja britanike që u dashurua me Shqipërinë, sidomos me Shalën e Dukagjinit.
Gjon Dukgilaj tregon për fotoreporterin britanik Robert Hackman, sa e rëndësishme është ajo për veriorët, sa shumë ajo i deshi dhe e deshën.
“Nuk është vetëm një monument. Është mirënjohje, është kujtim dhe është një shenjë dashurie për një grua që nuk ishte shqiptare, por që i deshi shqiptarët si pak kush tjetër,” thotë Gjoni, banor i zonës, ndërsa tregon për vizitën dhe qëndrimin e gjatë të Durham në këto male të thepisura.
Edith Durham, e njohur si “Kralica” nga banorët vendas, ishte e para grua nga Britania që udhëtoi e vetme në viset veriore të Shqipërisë, në fillim të shekullit të XX. Ajo nuk erdhi si turiste, por si një misionare, një studiuese, një mbrojtëse e zëshme e çështjes shqiptare në kohët më të vështira. U njoh me zakonet, mikpritjen dhe legjendat e këtyre maleve, dhe i regjistroi ato me ndjeshmëri e respekt në librin e saj të famshëm “High Albania”.
Në zonën e Shalës, Durham nuk ishte e huaj. Ajo u trajtua me nder e dashuri, si një e afërme e largët që ishte kthyer në shtëpi. “Ata e donin dhe e respektonin,” thotë një tjetër banor. “E quajtën kralicë, jo sepse vinte nga mbretëria, por sepse kishte zemrën e një mbretëreshe për ne.”
Shumë shqiptarë e njohin sot emrin e saj më mirë sesa në Britaninë e Madhe. Në Shqipëri, emri i Edith Durham është vendosur në rrugë, institucione, madje edhe në libra shkollorë. Ajo mbetet një nga zërat më të fuqishëm që i foli botës për vuajtjet, dinjitetin dhe historinë e shqiptarëve në fillim të shekullit të kaluar.
Shala e ruan kujtimin e saj me krenari. Dhe monumenti i ngritur nga banorët nuk është vetëm gur, por është frymë, dëshmi e një lidhjeje të thellë njerëzore që tejkalon kombësinë. Një kujtim për një grua që la pas një trashëgimi të pashlyeshme, dhe që, siç thonë vetë malësorët, “ne lutemi që të prehet në paqe, sepse ajo ishte shumë e veçantë për ne”./L.F-dritare.net

















