Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Kosova po voton sërish. Por a mund të zgjidhë vota për Kurtin, atë që Kurti nuk po zgjidh dot!

Kosova po voton sërish. Por a mund të zgjidhë vota për

Kosova voton sot për herë të tretë brenda një kohe shumë të shkurtër. Dhe kjo nuk është më lajm për fituesin. Është lajm për krizën.

Në fakt, askush nuk duket se dyshon se Albin Kurti do të dalë përsëri i pari. Pyetja është tjetër: a mund të qeverisë i vetëm dhe a mund të zgjidhë ai atë që nuk ka mundur ta zgjidhë deri tani?

Kurti ka një meritë të padiskutueshme. Ai ndryshoi politikën kosovare. Për herë të parë pas luftës, një lider arriti të fitojë besimin e shumicës së qytetarëve duke u paraqitur si alternativë ndaj elitave tradicionale. Ai u bë simbol i luftës kundër korrupsionit, klientelizmit dhe marrëveshjeve të errëta politike.

Sot Kosova ndodhet përballë një paradoksi. Sa më shumë vota merr Kurti, aq më shumë duket se mbetet i vetëm. Dhe sa më vetëm mbetet, aq më e vështirë bëhet ndërtimi i kompromisit që kërkon demokracia.

Kjo është drama e Kosovës. Nuk mungon fituesi. Mungon marrëveshja.

Në një kohë kur Serbia vazhdon betejën diplomatike kundër njohjes së Kosovës, kur Bashkimi Europian kërkon stabilitet dhe kur emigrimi i të rinjve vazhdon, vendi nuk ka luksin të mbetet i bllokuar në zgjedhje të pafundme.

Historia e Ballkanit tregon se liderët e fortë lindin në kohë krizash. Por historia tregon gjithashtu se asnjë lider nuk mund ta zëvendësojë dialogun. Asnjë fitore elektorale nuk mund të zëvendësojë institucionet.

Parashikimi yne është se Albin Kurti do t’i fitojë edhe këto zgjedhje. Madje mund të marrë një rezultat më të mirë se sa presin kundërshtarët e tij. Shumë votues mund ta shohin këtë krizë si përgjegjësi të të gjithë klasës politike dhe jo vetëm të tij.

Por edhe nëse fiton, sfida e vërtetë nis nesër.

Nëse përdor rezultatin për të qeverisur kundër të gjithëve, Kosova mund të hyjë sërish në një cikël bllokimi. Nëse e përdor për të ndërtuar ura me kundërshtarët, mund të hyjë në fazën më të qëndrueshme të shtetndërtimit që nga shpallja e pavarësisë.

Në fund, zgjedhjet e sotme nuk janë referendum për Albin Kurtin. Janë referendum për aftësinë e Kosovës për të dalë nga politika e konfliktit të tejzgjatur, edhe me Kurtin, ose vetem me Kurtin./ dritare.net