Na ndiqni edhe në

Opinione

Midis zhvillimit dhe halleve ambientaliste

Midis zhvillimit dhe halleve ambientaliste

Nga Bislim Elshani

Po të hulumtosh vetëm pakëz në internet mund të ndeshësh edhe në fjali të tilla befasuese:

“Ringjallja e lumit Temzë (Thames) në Angli është një nga projektet më të suksesshme të restaurimit ekologjik në botë. Nga shpallja si "biologjikisht i vdekur" në vitet 1950 për shkak të ndotjes industriale, sot lumi mbështet mbi 100 lloje peshqish, foka, e madje dhe peshkaqenë, falë përmirësimit të oksigjenit dhe uljes së metaleve të rënda.”

Ç’kuptojmë nga ky shënim?

Kuptojmë faktin se Londra gjatë zhvillimit të saj industrial kishte shkatërruar gjithçka rreth e rrotull lumit, pa kokëçarjen më të vogël për eko-sistemin. Gjithë rrjedha e lumit Temza nga tymrat dhe ndotjet industriale ishte bërë bojëhiri.

Paradoksi qëndron në faktin se zhvillimi Britanisë i erdhi nga industria dhe jo nga gjelbërimi e biodiversiteti. Natyrisht që çmimi do të ketë qenë tejet i lartë për shëndetin e banorëve, si njerëzorë, ashtu dhe bimorë e shtazorë, por gjithçka e ka një çmim.

Shënimi i mësipërm na tregon edhe një gjë: me pak mund e investime një shtet i organizuar mund të rigjenerojë ambientin fillestar paraindustrial. Madje edhe ta pasurojë atë. Dhe kjo pikërisht falë frutave të zhvillimit industrial.

Kur para disa dekadash vendet e zhvilluara perëndimore ia tërhoqën vërejtjen Kinës se po dëmtonte planetin përmes efektit serrë nga tymrat e fabrikave, ajo iu përgjigj me arrogancë: Na prisni të arrijmë nivelin tuaj zhvillimor, pastaj do të kujdesemi për tymrat! Dhe kjo shkallë zhvillimore u arrit në Kinë shumë më shpejt nga ç’kishin pandehur perëndimorët: kinezët që sot janë kthyer në një superfuqi ekonomike, tani emetojnë shumë më pak ndotje atmosferike.

Shqipëria ka pasur goditje aq të rënda gjatë gjithë vijës bregdetare pas përmbysjes sistemore me 1990 sa shoqëria civile dhe ambientalistët do të duhej të demonstronin për çdo vit kundër barbarizmit mjedisor, sepse të gjithëve na kujtohen pyjet me pisha që vishnin gjithë vijën bregdetare shqiptare që sot nuk janë askund.

Para disa vitesh bashkë me dy shokë të mi me banim në Zvicër, Ruzhdi Ibrahimin dhe Osman Osmanin, që të dy të njohur si publicistë e sindikalistë, ndërsa ai i pari edhe si një fotograf fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në fushën e fotografisë, i bëmë një vizitë Lagunës së Karavastasë, me një qëllim të vetëm: Ruzhdiu kishte dëshirë të bënte ca shkrepje për të kapur kolonitë e flamengove e të pelikanëve kaçurrelë të lagunës. Pasi, përpos lagështisë së përjetshme të lagunës, ato ditë kishte pasur edhe reshje të shumta shiu, u desh që me Jeep-in e Osmanit të përballonim një varg rreziqesh, disa herë duke dalë jashtë tij e duke e shtyrë me duar për ta nxjerrë nga balta. Megjithatë mundi u pagua: të gjithë patëm fatin e një përvoje e përjetimi prehistorik të një lagune të paprekur nga civilizimi. Ruzhdiu u kënaq me shkrepje të panumërta të aparatit të tij fotografik, me të cilin kapte si nisjen, ashtu edhe aterimin e flamengove e të pelikanëve kaçurrelë.

Sigurisht që kjo përvojë do të tingëllonte shumë joshëse për çdo qytetar të botës së qytetëruar industriale.

Mirëpo a vlen kjo edhe për banorët vendës?

Vërtetë në lagunë kishin mbetur të pacenuar pelikanët kaçurrelë, mirëpo shtegtimin e tyre e kishte zëvendësuar shtegtimi njerëzor drejt burimeve më të pasura të Evropës.

Të gjithëve na kujtohen protestat globale ambientaliste për ruajtjen e bio-diversitetit të lumit Vjosa. Mirëpo është rendi që vendet e zhvilluara perëndimore t‘i ofrojnë Shqipërisë edhe ndonjë opsion kompensimi për sakrificën ambientale. Kur vjen puna te paraja, të gjitha janë dorështrënguara.

Prandaj reagimi i turmave, i shkaktuar nga një hall fillestar ambientalist, që mori flakë nga keqtrajtimi i një individi të panjohur, (që në mënyrën se si u zhvillua ngjall dyshime për një inskenim qëllimkeq), shtron një varg pyetjesh që u përsëritën shumë herë këto ditë dhe nuk morën asnjëherë përgjigje. Turmat vazhdojnë të protestojnë duke shmangur arsyet fillestare dhe duke synuar përmbysjen e pushtetit në rrugë jolegale e antidemokratike, pikërisht kur BE-ja po i hapte dyert e integrimit shtetit shqiptar.

Ps: Një porosi për një nostalgjik enverist: Po t’ia kundërshtoje xhaxhit Enver tharjen e kënetës së Maliqit, do të përfundoje në litar. Ashtu siç kanë përfunduar në realitet disa zyrtarë përgjegjës të asaj ndërmarrjeje bonifikuese menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Të mos harrojmë se tharja e kënetës shkatërroi gjithë biodiversitetin e saj, me bimë, me shpesë e me shumë lloje kafshësh të egra. Sikur të ndodhte sot, shoqatat e sotme ambientaliste do ta ngrinin zërin në kupë të qiellit për të penguar tharjen./dritare.net