
Trump mesazh ndërmjetësuesve evropianë: Irani nuk do të flasë me ju, por me ne!
Dritare.net
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar me tone të ashpra ndaj përpjekjeve të ndërmjetësuesve evropianë në krizën mes Iranit dhe Izraelit, duke thënë qartë se Irani nuk ka interes të flasë me Europën, por kërkon dialog vetëm me Uashingtonin.
“Iranianët nuk duan të flasin me evropianët. Duan të bisedojnë vetëm me ne,” deklaroi Trump.
Duke komentuar takimin e fundit në Gjenevë, ku përfaqësues të Bashkimit Evropian u takuan me ministrin e Jashtëm të Iranit, presidenti amerikan i minimizoi përpjekjet diplomatike të kontinentit të vjetër.
“Europa nuk mund të na ndihmojë në këtë situatë,” tha ai, duke hedhur “akull” mbi nismat evropiane për dialog.
Trump shtoi se është “shumë e vështirë” t’i kërkosh Izraelit të ndalojë sulmet e tij, në një moment kur tensionet ushtarake në rajon janë në kulm.
“Është e vështirë të ndalosh dikë që po ia del mirë në luftë,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet mbështetjen e vazhdueshme për veprimet izraelite.
Ndërkohë, pala iraniane ka vendosur një kusht të qartë për nisjen e negociatave: ndalimi i sulmeve izraelite. Ky qëndrim është bërë publik nga ministri i Jashtëm i Iranit gjatë takimit në Gjenevë, duke e vendosur Uashingtonin përballë një zgjedhjeje të vështirë: të mbështesë pa kushte Izraelin ose të ulë tensionet me Teheranin.
Deklaratat e Trump përforcojnë perceptimin e një ndarjeje të thellë mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në menaxhimin e krizës në Lindjen e Mesme, teksa përshkallëzimi ushtarak vazhdon dhe çdo ditë sjell zhvillime të reja të rrezikshme.

















