Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mjeku në Vjenë:Çfarë ndodh me hapësirën publike në Austri!

Mjeku në Vjenë:Çfarë ndodh me hapësirën publike

Në intervistën me mjekun shqiptar Ilirjan Baci, që punon prej më shumë se tri dekadash në Austri, ai tregoi edhe për jetën në Vjenë. Jeten në komunitet, në sistem, në respekt për ligjin.

Ai tregoi për plazhin buzë Danubit, ku çdo qytetar, qoftë me të ardhura të larta apo modeste, ka të drejtë të ecë, të pushojë, të notoje. Sepse ligji nuk lejon privatizimin e asnjë centimetri të brigjeve të lumit. Është e drejta publike ajo që mbron hapësirat natyrore. Ndërkohë që në Shqipëri, kemi detin, bregdetin, liqenet dhe lumenjtë, por shpesh i kemi marrë të mirëqena. Dhe më keq akoma: i kemi zaptuar. I kemi rrethuar me gardhe, i kemi mbyllur për publikun, i kemi kthyer në “privé”.

Dr. Baci tha diçka që duhet të na bëjë të ndalemi:

“Në Austri, nuk mund të blesh tokë buzë lumit e ta bësh gardh. Sepse nuk lejohet. Është për të gjithë.”

Në Shqipëri, ndërkohë, gardhet janë bërë simbol i ndarjes, përvetësimit, përjashtimit, deri në pikën që vetë shteti është detyruar të nisë prishjen e tyre.

Por problemi nuk janë gardhet fizike. Problemi janë gardhet në mendësi. Sepse të ndërtosh një mur rreth tokës së përbashkët, është mënyra më e qartë për të thënë “ky vend është vetëm për mua, jo për ty”.

Në Vjenë, nuk ka luks të tepruar, por ka rend. Ka ndriçim në rrugë, ka korsira biçikletash, ka fushë publike për fëmijët, ka hapësira për të moshuarit. Dhe askush nuk ndërton pa leje. Jo se nuk do, por se nuk guxon.

Dhe më tej, Dr. Baci tregoi se edhe shqiptarët që jetojnë në Vjenë janë shembull: punëtorë, të përkushtuar, të ndershëm.

“Më thonë shpesh: ju shqiptarët nuk thyeni rregullat,” – tha ai. Dhe kjo tregon se është sistemi që formon sjelljen, nuk është vetëm gjaku.

Ndersa Rudina Xhunga u shpreh se ndërsa Shqipëria ka nisur një aksion të prishjeve të çfarë ka zaptuar publiken, duhet të kuptojmë se pikërisht hapësirat publike janë pasuria më e madhe që kemi, dhe deti, lumi, kodrat nuk janë pasuri të kujt ka më shumë para, por e kujtdo që frymon në këtë vend.

Nëse duam që Shqipëria të duket si Vjena – të ketë komunitet, drejtësi dhe pastërti – duhet ta trajtojmë si Vjenën: me ligj, me dinjitet dhe me respekt për të përbashkëtën- tha gazetarja./dritare.net