
Zjarret në jug të vendit, Ministri Vengu: Ja si paraqitet situata!
Dritare.net
Pas një nate intensive dhe sfiduese me përballje të forta ndaj flakëve që kërcënonin zonat e banuara në jug të vendit, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu njoftoi se situata është vendosur nën kontroll, falë një angazhimi gjithështetëror.
Zjarret përfshinë disa zona të Bashkive Himarë dhe Delvinë, me vatra aktive në Kalasë, Shën Vasil, Lukovë, Sasaj dhe Piqeras. Në Kalasë, zjarri, i shtyrë nga era e fortë, arriti të kalojë në një lagje të banuar, duke rrezikuar jetën e banorëve. Menjëherë u ndërmorën masa evakuimi dhe në terren ndërhynë 75 forca operacionale dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Falë koordinimit efikas të strukturave, banesat u mbrojtën dhe banorët dolën të padëmtuar.
Në Sasaj dhe Piqeras, flakët u përhapën me intensitet gjatë natës, çka çoi në evakuimin e përkohshëm të banorëve. Forcat operacionale arritën të neutralizonin me sukses vatrat dhe të ndalonin përhapjen më tej të zjarrit.
Në zonat kodrinore e pyjore të Lukovës dhe Shën Vasilit, ndërhyrja e shpejtë e mjeteve zjarrfikëse dhe forcave operacionale bëri të mundur frenimin e flakëve, duke sjellë vendosjen e situatës nën kontroll pas një përpjekjeje të pandërprerë.
Aktualisht, sipas Ministrit Vengu, skuadrat zjarrfikëse dhe helikopterët e Forcës Ajrore, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijojnë operacionet në zonat e larta të Lukovës dhe Skërficës për të shmangur çdo përhapje të mëtejshme të zjarreve.
Ministri shprehu mirënjohje për të gjithë efektivët e përfshirë në këto operacione, përfshirë Forcat e Armatosura, zjarrfikësit vendorë, pilotët e Forcës Ajrore dhe ekipet ajrore italiane që ofruan ndihmë nga ajri. Ai falënderoi gjithashtu kryetarët e bashkive Delvinë, Himarë dhe Konispol, si dhe Zëvendës Kryeministren Belinda Balluku për drejtimin në terren, dhe banorët për bashkëpunimin e qetësinë gjatë procesit të evakuimit.
“Faleminderit për bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional në këto ditë jo të lehta, në betejë me zjarret”, u shpreh Ministri Vengu.
Postimi i plotë i Ministrit Vengu:
"Pas një nate intensive dhe sfiduese, falë angazhimit gjithështetëror të forcave operacionale, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, strukturave vendore dhe mbështetjes nga ajri – u bë e mundur vendosja nën kontroll e flakëve që rrezikonin drejtpërdrejt jetën e banorëve në Bashkitë #Himarë dhe #Delvinë, veçanërisht në: Kalasë, Shën Vasil, Lukovë, Sasaj dhe Piqeras.
-Në Kalasë, zjarri, i nxitur nga era e fortë, kaloi nga territori i Bashkisë Himarë drejt një lagjeje të fshatit. U ndërmorën menjëherë masa evakuimi dhe në terren ndërhynë 75 forca operacionale si dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Falë reagimit të shpejtë dhe bashkërendimit të strukturave, banesat u mbrojtën dhe u shmang çdo rrezik për jetën e banorëve.
- Në Sasaj dhe Piqeras, vatrat u intensifikuan gjatë natës, duke rrezikuar zonat e banuara. U krye evakuimi i përkohshëm i banorëve, ndërsa forcat operacionale neutralizuan me sukses flakët dhe parandaluan përhapjen e tyre.
-Në Lukovë dhe Shën Vasil, ndërhyrja e forcave operacionale dhe mjeteve zjarrfikëse bëri të mundur frenimin e zjarrit që kishte prekur zonat kodrinore dhe pyjore përreth. Situata u vendos nën kontroll pas një angazhimi të pandërprerë.
Në këto momente skuadrat e zjarrfikësve dhe Forca Ajrore, nën koordinimin e Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë operacionet pranë vatrave në lartësitë e Lukovës dhe Skërficës për të parandaluar përhapjen e fronteve të mëtejshme.
-Mirënjohje të thellë për çdo efektiv të përfshirë në këto operacione:
- Efektivët e Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësit vendorë
-Pilotët e helikopterëve të Forca Ajrore dhe ekipet ajrore të ardhura nga Italia
-Kryetarët e bashkive Delvinë, Himarë dhe Konispol për drejtimin e skuadrave në terren nën koordinimin e Zëvendës Kryeministres Belinda Balluku
-Banorët e zonës për bashkëpunimin dhe qetësinë gjatë operacioneve të evakuimit
Faleminderit për bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional në këto ditë jo të lehta, në betejë me zjarret!"/K.C/dritare.net

















