
6 simptoma të lipedemës që shpesh ngatërrohen me mbipeshën
Dritare.net
Lipedema është një gjendje pak e njohur, por më e zakonshme nga sa mendohet, që shkakton grumbullimin e yndyrës kryesisht në këmbë, kofshë dhe ndonjëherë edhe në krahë, duke lënë shumë persona të hutuar dhe të dëshpëruar. Kryesisht prek gratë dhe shfaqet zakonisht gjatë periudhave të ndryshimeve hormonale, si puberteti, shtatzënia apo menopauza. Ndryshe nga shtimi i zakonshëm në peshë, kjo yndyrë është e dhimbshme, vështirë për t’u hequr dhe shpesh shoqërohet me ënjtje dhe mavijosje. Le të shohim disa nga shenjat që mund të tregojnë se vuani nga lipedema.
1. Gungëza nën lëkurë
Një nga simptomat karakteristike të lipedemës është prania e gungëzave të vegla dhe të forta nën lëkurë, që shpesh përshkruhen si “kokrra bizeleje” ose “të orizit” të ngulitura brenda indit dhjamor. Këto gungëza nuk janë të dukshme nga jashtë, por ndihen me dorë, sidomos në zonën e kofshëve, vitheve apo krahëve.
Kjo strukturë e pabarabartë shkaktohet nga ndryshimet fibrotike në yndyrë dhe mund të shkaktojë shqetësim apo ndjeshmëri në prekje.
2. Mavijosje
Mavijosjet e shpeshta dhe pa shkak të dukshëm janë një simptomë e zakonshme e lipedemës, që ndodhin edhe pas një presioni të lehtë apo një goditjeje të vogël. Kjo vjen pasi indi dhjamor i prekur është më i brishtë dhe enët e vogla të gjakut mund të çahet lehtësisht. Mavijosjet zakonisht shfaqen në këmbë, kofshë ose krahë, zonat ku grumbullohet më së shumti yndyra nga lipedema dhe mund të jenë shqetësuese si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht.
3. Grumbullimi i yndyrës në vithe, kofshë dhe pulpa
Akumulimi jo i zakonshëm i yndyrës në pjesën e poshtme të trupit, vithe, kofshë dhe pulpa, krijon shpesh një disproporcion të dukshëm me pjesën e sipërme të trupit. Ky dhjam është zakonisht simetrik dhe nuk reagon ndaj dietave apo aktivitetit fizik të zakonshëm. Ndryshe nga obeziteti i zakonshëm, yndyra e lipedemës është shpesh e dhimbshme, e ndjeshme në prekje dhe mund të çojë në vështirësi në lëvizje me kalimin e kohës.
4. Dhimbje
Dhimbja është një simptomë e zakonshme dhe shpesh e rëndë e lipedemës, që mund të variojë nga ndjeshmëri e lehtë deri në shqetësim kronik. Kjo dhimbje ndihet zakonisht në zonat e prekura, këmbë, kofshë apo krahë dhe mund të jetë e vazhdueshme ose të nxitet nga presioni, lëvizja apo edhe një prekje e lehtë. Besohet se shkaktohet nga inflamacioni, presioni i shtuar brenda indit dhjamor dhe përfshirja e mundshme e nervave.
5. Lëkurë e varur
Lëkura e varur është një simptomë që mund të shfaqet në fazat më të avancuara të lipedemës. Kjo ndodh për shkak të grumbullimit jonormal të yndyrës poshtë lëkurës, e cila shkakton tendosje të shtuar mbi indet lidhëse të saj. Me kalimin e kohës, kjo tendosje mund të bëjë që lëkura të humbasë elasticitetin, duke krijuar pamje të varur. Gjithashtu, mund të formohen palë të mëdha lëkure, që kontribuojnë në ndryshimet karakteristike të formës trupore tek personat me lipedemë.
6. Lodhje
Lodhja është një simptomë shumë e pranishme në lipedemë. Karakterizohet nga një ndjenjë e vazhdueshme rraskapitjeje, që ndikon ndjeshëm në jetën e përditshme. Kjo lodhje vjen si pasojë e përpjekjes fizike më të madhe për të lëvizur gjymtyrët e prekura, të cilat ndihen të rënda dhe të ndjeshme. Dhimbja kronike dhe stresi emocional i shoqëruar me këtë gjendje e përkeqësojnë edhe më tej lodhjen.
Si t'i lehtësoni shqetësimet
Lipedema nuk ka një kurë të njohur, por simptomat mund të menaxhohen:
-Terapia me kompresim ndihmon në uljen e ënjtjes. Veshja e rrobave kompresive, si getat apo çorapet e posaçme, përmirësojnë qarkullimin limfatik dhe ulim shqetësimin.
-Drenazhi limfatik manual (MLD) jep lehtësim. Ky është një masazh i specializuar që ndihmon në lëvizjen e lëngjeve të tepërta dhe redukton rëndesën në gjymtyrë.
-Liposuksioni është një opsion për heqje afatgjatë të yndyrës. Ndryshe nga liposuksioni estetik, ai që përdoret për lipedemën heq në mënyrë selektive yndyrën problematike dhe lehtëson simptomat.
-Ushtrimet dhe lëvizja përmirësojnë lëvizshmërinë. Aktivitetet me ndikim të ulët si ecja ose noti ndihmojnë në qarkullimin e gjakut dhe ruajtjen e shëndetit të kyçeve.
-Mbështetja ushqimore dhe menaxhimi i peshës ndihmojnë në mirëqenien e përgjithshme. Edhe pse dieta nuk e zhduk yndyrën e lipedemës, një stil jetese i shëndetshëm ul inflamacionin dhe rrit energjinë.
-Mbështetja psikologjike është shumë e rëndësishme. Jeta me lipedemë mund të ndikojë në shëndetin mendor, ndaj këshillimi psikologjik apo grupet mbështetëse janë të këshillueshme./K.C/dritare.net

















